Biznesi “shkel frenat” – Bie shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve pësoi rënie për të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, rënia e besimit të bizneseve u shoqërua edhe me një shkallë më të ulët të përdorimit të burimeve të tyre.
Për industrinë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi rënie me 1.4 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar pranë mesatares historike të saj, rreth 72.3%.
Edhe në ndërtim, një prej sektorët me ecuri pozitive në vitet e fundit, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijoi të bjerë, duke qëndruar në 59%.
Kjo normë është rreth 3.3 pikë përqindje më poshtë nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 5.1 pikë përqindje nën mesataren e saj historike.
Në sektorin e shërbimeve, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 3 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar rreth 70%.
Kjo normë mbetet si nën nivelin e shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë, ashtu edhe nën mesataren historike të shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e shërbimeve.
Edhe për aktivitetin tregtar norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijoi të bjerë për të tretin tremujor radhazi, duke qëndruar në 67.1%.
Dinamika gjatë tremujorit e zhvendos normën e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti rreth 9.6 pikë përqindje nën mesataren historike të saj dhe rreth 3.1 pikë përqindje nën nivelin e tremujorit të katërt të një viti më parë.
Këto të dhëna konfirmojnë edhe njëherë se ekonomia shqiptare duket të ketë pasur një frenim në gjysmën e dytë të vitit 2017, pas tejkalimit të efektit të shpenzimeve zgjedhore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.