Biznesi: Shtyrja e gjobave për fiskalizimin, gjysmake – Shoqata: Procesi të shtyhet 3-5 vite, të mos bëhen eksperimente me kompanitë
Shoqata e Biznesit të Vogël e ka konsideruar gjysmak Aktin Normativ të Qeverisë i cili hoqi për gjashtë muajt e ardhshëm të këtij viti gjobat ndaj kompanive që nuk plotësojnë kushtet për fiskalizimin. Në një deklaratë për mediat, Kreu i Kësaj Shoqate Shpëtim Agolli tha se ky proces duhet të shtyhet në tre deri pesë vite, ndërkohë që kostot e tij janë të konsiderueshme dhe duhet të rimbursohen.
Ai tha se veçanërisht biznesi i vogël është në vështirësi për shkak të pandemisë, dhe se i duhet dhënë kohë si për përmirësimin e treguesve financiare, por edhe për njohjen me procedurat dhe teknologjinë e re. Agolli vuri nën akuzë edhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit tatimor në vend, duke thënë se duket sikur me biznesin po bëhen eksperimente.
Ai e konsideroi fiskalizimin një process të ndërlikuar, të cilin jot ë gjitha kompanitë janë të gatshme ta implementojnë në një hapësirë kaq të shkurtër kohore.
Në mbledhjen e fundit, Kuvendi miratoi shtyrjen deri më 1 janar të vitit 2020 të aplikimit të gjobave e penaliteteve për fiskalizimin, për shkak të vështirësive që ka hasur biznesi në implementimin e tij, ndërkohë që vështirësitë nuk kanë munguar as për institucionet publike.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.