Bjellorusi, tërhiqet “diktatori”. Lukashenko anulon ligjin kundër “parazitëve”

Presidenti i Bjellorusisë, Alexandër Lukashenko i është nënshtruar vullnetit të protestuesve, duke anuluar kështu atë që në vend njihet si ligji kundër parazitëve shoqërorë. Ky ligj detyronte ata që punojnë më pak se 183 ditë në vit që t’i paguajnë shtetit një taksë prej rreth 250 dollarësh si kompensim për humbjet nga taksat.
Ligji gjeneroi protesta të shumta mbarë popullore, më të mëdhatë ndër vite. Ky ligj nxiti zemëratën popullore pasi erdhi në kohë aspak të lehta për vendin. Ekonomia e Bjellorusisë vjen pas dy vitesh në recesion, dhe shumë qytetarë janë në vështirësi të mëdha ekonomike.
Pavarësisht se ishte protesta më e madhe në 6 vite, ajo e muajit të kaluar kundër taksës në fjalë, mblodhi në shesh vetëm 2000 njerëz. Protesta paralele janë mbajtur që prej atëherë edhe në qytete të tjera të vendit dhe janë organizuar kryesisht nga opozita zyrtare. Lukashenko, i cili e ka cilësuar veten e tij si dikatori i fundit i Europës udhëheq vendin që prej vitit 1994.
Sipas autoriteteve, vitin e kaluar, 470 mijë njerëz duhet të paguanin taksën, por vetëm 50 mijë njerëz e bënë këtë, duke gjeneruar humbje në 8 milionë dollarë për buxhetin e shtetit. Pagat mesatare mujore në vend kanë rënë nga 630 dollarë në mes të 2014-ës, në vetëm 380 dollarë në muajt e parë të 2017-ës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.