“Bledi” pajton rajonin – Forumi në Slloveni, mungoi vetëm ministri shqiptar – Daçiç mbështet Pacollin
Forumi Strategjik i Bledit, i cili zhvillohet çdo vit që prej vitit 2006 në Slloveni, ka mbyllur punimet edhe për këtë vit. Në këtë takim kanë folur edhe të gjithë ministrat e jashtëm të rajonit, me përjashtim të Shqipërisë. Fjalën e ka marrë Ivica Dacic, Behgjet Pacolli, si dhe ministrat e jashtëm të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Të pranishëm në forum ishin edhe Mathew Palmer nga Departamenti Amerikan i shtetit si dhe Majlinda Bregu në rolin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Sipas materialeve zyrtare nga samiti, i pranishëm në të ka qenë vetëm Sokol Dedja, zv.Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Gjatë punimeve të samitit ndërkohë, ajo që ra ndjeshëm në sy është zbutja e toneve të Serbisë. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic, mbështeti apelin e Behgjet Pacollit për hapjen e vizave me Kosovën. Dacic tha se, Serbia do të mbështesë këtë politikë, si dhe atë të hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut si dhe Shqipërinë.
“Të gjithë njerëzit e ulur këtu janë më pranë zemrës time se njerëzit në Finlandë apo Lituani”-deklaroi Dacic, duke apeluar për më shumë mbështetje mes njëri-tjetrit në rajon për çështje të caktuara, siç është perspektiva e përbashkët europiane. Thuajse të gjithë pjesëmarrësit në forum ishin në një mendje sa i përket kritikave ndaj Bashkimit Europian, me këtë të fundit që nuk e ka bërë ende të qartë perspektivën europiane të vendeve të rajonit. Të njëjtin apel ka bërë edhe Majlinda Bregu, duke theksuar se procesi nuk është më teknik, por një zgjedhje politike, dhe për këtë Europa duhet të tregohet e guximshme.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.