Blerja e energjisë elektrike – Qeveria miraton huanë 1 miliard lekë për OSHEE
Pas kërkesës të bërë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Këshilli i Ministrave ka miratuar dhënien e huasë prej 1 miliard lekësh, që do të përdoret për blerjen e energjisë në muajt nëntor dhe dhjetor.
Përmes një vendimi, që mban datën 9 tetor qeveria i jep huanë afatshkurtër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa saktësohet se përdorimi i saj do të jetë pikërisht blerja e energjisë për furnizimin e konsumatorëve deri në datën 31 dhjetor 2017.
Gjithashtu, vendimi saktëson se efekti financiar do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, parashikuar për emergjenca natyrore. Ndërkohë që, kushtet e huasë do të përcaktohen në një marrëveshje të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe OSHEE-së.
Kërkesa e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për fond shtesë u konfirmua më herët për TV SCAN nga drejtori i Divizionit të Shitjes dhe Tregtimit, Elton Sevrani, i cili tha se në kushtet aktuale kompania mund të sigurojë blerjen e energjisë, por nuk mund të bëjë mirëmbajtjen e rrjetit.
Kjo pas situatës të vështirë energjetike, të ardhur si pasojë e thatësirës së tejzgjatur, që ka detyruar kompaninë të shpenzojë rreth 26 milion euro vetëm për periudhën korrik-tetor.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.