Blerja e energjisë – OSHEE siguron sasinë për nëntorin, shpenzon 21.7 mln euro
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka shpenzuar 21.7 milion euro për blerjen e energjisë për muajin nëntor. Pas përmbylljes së procedurës u arrit të sigurohej e gjithë sasia e kërkuar prej 270.000 mëh, ndërkohë që blerja u nda në 2 lote.
Sipas të dhënave të kompanisë, në lotin e parë u blenë 72.000 mwh, me një çmim mesatar prej 67.03 euro/mwh, ndërsa në të dytin u blenë 198.000 mwh, me një çmim mesatar prej 84.93 euro/mwh. Çmimi mesatar me të cilin është siguruar energjia elektrike për muajin nëntor është më i lartë se ai i muajit paraardhës, duke qenë se për tetorin OSHEE shpenzoi mesatarisht 57.62 euro/mwh.
Çmimi i energjisë për muajin korent ishte më i lartë edhe për blerjet e realizuara nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, e cila e pagoi 1 mwh, 16.91 euro më shtrenjtë se një muaj më parë. Bashkë me blerjen e fundit, vlera e shpenzuar nga OSHEE për blerjen e energjisë në periudhën korrik-nëntor arrin në 107.7 milion euro. \Ndërkohë që, për këtë muaj u aplikuar blerja e energjisë përmes platformës online.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.