Blerja e Monte dei Paschi – Qeveria italiane mund të humbasë 1.39 mld euro
Qeveria italiane përballet me një humbje prej më shumë se 30%, në shumën prej 3.85 miliardë euro që i përdori për të shpëtuar huadhënësin Monte dei Paschi di Siena, referuar tregtimit të aksioneve të reja të bankës.
Banka më e vjetër në botë nuk ka tregtuar aksione në Bursën e Milanos që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur dështoi të rriste kapitalin e nevojshëm për të larguar kërcënimin e falimentimit.
Në muajin korrik, Roma zyrtare e ndihmoi bankën, duke paguar 6.49 euro për aksion, duke u bërë aksioneri më i madh i saj. Tregtarët dhe menaxheret e fondeve shprehen se aksionet e Monte dei Paschi po luhateshin midis 4.14 dhe 4.35 euro për aksion në “tregun gri”, ku aksionerët mund të shesin aksione përpara se të fillojë tregtimi në bursë. Banka e katërt më e madhe në Itali nuk ka vendosur ende një datë se kur do të heqë pezullimin e tregtimit të aksioneve, por thotë se do të ndodhë në vjeshtë.
Një çmim prej 4.14 euro për aksion përkthehet në një humbje prej 1.39 miliardë euro për qeverinë italiane, në fazën e parë të ndihmës. Gjithsesi, qeveria ka deklaruar se synon ti mbajë aksionet e kësaj banke për një kohë të gjatë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.