Blerjet dhe shkrirjet globale – Rekord në tremujorin e parë prej reformës tatimore dhe rimëkëmbjes në Europë
Blerjet dhe Shkrirjet në të gjithë botën kanë patur tremujorin më të fortë në histori, duke arritur një vlerë prej 1.2 trilionë dollarësh, ndërkohë që reforma tatimore në SHBA dhe rritja e fortë ekonomike në Europë, kanë nxitur ujditë mes korporatave.
Tregjet e forta të kapitalit e të borxhit kanë nxitur gjithashtu besimin e ekzekutivëve, duke i bindur se është koha e duhur për të ndjekur shkrirje transformuese të bizneseve të tyre.
Sipas bankës amerikane JPMorgan, arritja e reformës tatimore ka ç’bllokuar aktivitetin e shkrirjeve, megjithatë kompanitë po prisnin gjithashtu për momentin e duhur në financat e tyre.
Ndërkohë që vlera e blerjeve dhe shkrirjeve në të gjithë botën është rritur me 67% me bazë vjetore në tremujorin e parë 2018, numri i marrëveshjeve ka rënë në 10,338, duke treguar se marrëveshjet mes firmave janë zmadhuar.
Ndër dakordësitë më të mëdha të arritura në tremujor ishin; blerja e zinxhirit farmaceutik në SHBA, Express Scripts Holding nga Cigna, për 67 miliardë dollarë dhe oferta e E.ON prej 38.5 miliardë dollarësh për biznesin e energjisë së rinovueshme të RWE.
Në Europë, volumi i këtyre blerjeve është dyfishuar në tremujorin e parë, në Shtetet e Bashkuara ka patur rritje me 67% ndërsa në Azi, me 11%. Sipas analistëve, mjedisi më pozitiv makroekonomik në Europë ka shtuar besimin e ekzekutivëve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.