Blerjet e pronave – 80% financohen me kredi bankare
Tregu i pasurive të paluajtshme po mbështetet gjithnjë e më shumë nga kredia bankare. Sipas një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë me 230 agjentë të pasurive të paluajtshme, rezulton se në gjysmën e dytë të vitit të kaluar 80% e pronave të shitura u financuan me kredi bankare. Kjo shifër është në rritje të mëtejshme nga gjashtëmujori i parë, kur raportohej se 72% e pronave ishin shitur me kredi.
Përdorimi i kredisë bankare, sidomos për blerjen e banesave, është në rritje të ndjeshme, i mbështetur nga normat shumë të ulëta të interesit, por edhe një ofertë më e lartë e bankave për këtë produkt gjatë viteve të fundit. Kredia për pasuri të paluajtshme ka raportin më të ulët të kredive me probleme krahasuar me produktet kryesore të kredisë. Në fund të vitit të kaluar, raporti i kredive me probleme për këtë produkt ishte 7%, në rënie të mëtejshme nga niveli 8.8% i një viti më parë. Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët në raport me raportin mesatar të kredive me probleme, që për të njëjtën periudhë ishte 13.2%.
Sipas llogaritjeve të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e ponderuar e interesit për kredi për pasuri të paluajtshme në gjysmën e dytë të vitit të kaluar ishte 4.4%. Interesat kanë rënë vazhdimisht gjatë viteve të fundit, duke ndjekur politikën monetare lehtësuese që është ndjekur për valutat kryesore. Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredive për pasuri të paluajtshme për periudhën 2008-2013 ka qenë 8.7%, ose dy herë më i lartë se sot.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re për blerjen e pasurive të paluajtshme nga bizneset dhe individët vitin e kaluar arriti në afro 44 miliardë lekë, me një rritje prej 8% krahasuar me një vit më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
Burimi: Banka e Shqipërisë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.