Bletaria nën “filtrin” e shtetit – Kritere për mbarështimin dhe prodhimin, gjoba për shkeljet!
Për herë të parë, sektori i bletarisë do të jetë i kontrolluar tërësisht nga institucionet shtetërore përmes përcaktimit të rregullave për prodhimin, regjistrimin, transportin, riprodhimin, mbrojtjen, etiketimin, përpunimin dhe ruajtjen e produkteve të bletarisë, si dhe për kontrollin e cilësisë dhe gjurmueshmërinë e këtyre produkteve. Ministria e Bujqëisë ka hedhur për konsultim projektligjin për “Bletarinë” që synon rregullimin tërësor të sektorit.
Sipas dokumentit, kushdo që ka koloni bletësh është i detyruar ta komunikojë, pranë Agjencinë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) përfshirë edhe Shoqatat Lokale të Bletërritësve që veprojnë në zonë, duke specifikuar vendndodhjen dhe numrin e koshereve, brenda 180 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Sipas projektligjit ushqyerja e bletëve me sherbet/sheqer apo shurupë të tjerë, nuk duhet të bëhet gjatë periudhës së lulëzimit kryesor të bimëve mjaltëdhënëse dhe mbledhjes së nektarit nga bletë, ajo është e lejueshme gjatë lulëzimit të bimëve mjaltëdhënëse, vetëm në rastet e reshjeve të zgjatura të shiut (për disa ditë me radhë, që nuk lejojnë daljen e bletës për të grumbulluar nektar), dhe me njoftimin paraprak të veterinerit zyrtar (ku të deklarohet sheqeri i përdorur dhe sasia e përdorur, dhe të gjitha veprimet të jenë të pasqyruara në regjistrin e bletarit, me datën përkatëse).
Ushqimet e tjera të përdorura për të ushqyer bletët (me bazë proteinike apo sheqerore si candy, pogaçe, etj) duhet të jenë të prodhuara vetëm nga stabilimente të licencuara dhe të kontrolluara nga autoritetet përkatëse të kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë,pasi çdo ushqim që është i pakontrolluar, mund të sjellë kontaminimin e paqëllimshëm të produkteve të bletës si p.sh mjaltit, qumështit të bletës, etj,.
Prodhuesit janë të detyruar që në produktin final, në etiketë të kenë të shënuar cdso detaj, që nga firma që prodhon, substancat që përmban produkti si dhe kohën e përodorimit. Ndërsa, Parku i bletëve duhet të vendoset jo më pak se 10 metra nga rrugët e tranzitit publik dhe jo më pak se 5 metra nga kufinjtë e pronës publike ose private.Shkeljet e përcaktimeve dhe kritereve të vendosura në projektligj dënohen me gjoba nga 10 deri në 60 mijë lekë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.