Bllokimi i llogarive personale të administratorit e aksionarëve, bizneset kundër nismës
Bizneset kanë dalë zyrtarisht kundër nismës së qeverisë që i jep kompetencë tatimeve që të kontrollojnë e bllokojnë llogaritë bankare të kompanive.
“ Të gjithë sëbashku e kanë konsideruar të papranueshëm cënimin e logarive personale të adminstratorit, ortakut dhe aksionarit të kompanisë lidhur me detyrimin tatimor të kompanisë pa patur një vendim të formës së prerë të Gjykatës i cili ngarkon me përgjegjësi individuale për pagesën e detyrimeve tatimore” shkruhet në letrën e komenteve që 22 dhoma tregtie e shoqata biznesi i kanë drejtuar ministrisë së Financave dhe asaj të sipërmarrjes.
Letra e plotë:
Lënda: Komente në lidhje me Udhëzimin nr. 44, datë 09.11.2020 për një ndryshim në Udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Në cilësine e përfqësuesve të interesit të komunitetit të biznesit vendas e të huaj në Shqipëri ndjekim me interes të vecantë publikimin e ligjeve dhe akteve nënligjore të reja apo që ndryshojnë ato ekzistuese. Informacionin e mbledhur e përcjellim në mënyrë transparente pranë anëtarëve tanë me qëllim që të mbledhim mendimet e tyre dhe po ashtu në mënyrë transparente të përcjellim komentet Ministrive përkatëse të linjës.
Në fund të javës së kaluar, morëm njoftim mbi publikimin në Fletoren Zyrtare të Udhëzimit Nr. 44, datë 9.11.2020 “Për një ndryshim në udhëzimin nr. 24, datë 2.9.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar (këtu më poshtë referuar si “Udhëzimi”); udhëzim i cili ka në thelb mbledhjen e detyrimeve tatimore te prapambetura.
Në linja të përgjithshme, Udhëzimi parashikon afate ligjore të qarta për shlyerjen e detyrimeve tatimore, rolin e bankave tregtare të nivelit të dytë në mbledhjen e detyrimeve. Përveç përmirësimit të përmbajtjes se Udhëzimit ekzistues, ndryshimet e prezantuara i japin në mënyrë të shprehur administratës tatimore të drejtën që detyrimet tatimore të pambledhura nga shoqëritë tregtare t’ia transferojë dhe t’i mbledhë nga ortakët dhe/ose administratorët e këtyre shoqërive.
Përkrahim çdo iniciativë ligjore e cila ka në bazë forcimin e drejtësisë dhe barazisë, si dhe fuqizimin e organeve ekzekutive në kryerjen e detyrave të tyre legjitime. Por pavarësisht kësaj si dhe objektivit thelbësor të synuar të Udhëzimit, gjykojmë që forma e përdorur në të për transferimin e detyrimit tatimor nga personi juridik te ortaku/aksioneri apo administratori, bie në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” (këtu më poshtë referuar si “Ligji për Shoqëritë Tregtare”).
Me konkretisht, Udhëzimi parashikon që: “… Në zbatim të nenit 99, të ligjit nr. 9920/2008, nëse pas zbatimit ndaj subjektit të të gjitha masave shtrënguese për mbledhjen me forcë të detyrimit (duke përfshirë edhe shitjen e pasurisë së sekuestruar), detyrimet tatimore të personit juridik nuk shlyhen plotësisht, administrata tatimore e transferon detyrimin tatimor të mbetur të subjektit tek ortaku, aksionari dhe administratori…”
Transferimi i detyrimit i parashikuar më sipër është në kundërshtim me Ligjin për Shoqëritë Tregtare duke qënë se:
1.Bazuar në nenin 68 të ligjit të përmëndur: “… Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar është një shoqëri tregtare, e themeluar nga persona fizikë ose juridikë, të cilët nuk përgjigjen për detyrimet e shoqërisë tregtare dhe mbulojnë personalisht humbjet e shoqërisë deri në pjesën e pashlyer të kontributeve të nënshkruara. Kontributet e ortakëve përbëjnë kapitalin e regjistruar të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar”.
Kujtojmë që në vëndin tonë, pjesa më e madhe e shoqërive të regjistruara (% ekzakte mund të gjendet lehtësisht nga QKB) janë të regjistruara ose në formën e “shoqërive me përgjegjësi të kufizuar”. E njejta dispozitë është e aplikueshme edhe për shoqëritë e regjistruara në formën e “shoqërive aksionare” (neni 105 i Ligjit për Shoqëritë Tregtare).
Dallimi i personalitetit juridik të pavarur të shoqërisë tregtare nga atij të ortakut/aksionarit e administratorit, si dhe kufizimi i përgjegjësisë janë parime universale. Cënimi i këtyre parimeve do të deformonte thelbin e organizimit te aktivitetit tregtar në formën e shoqërisë tregtare.
Bazuar në nenin 16 të ligjit të përmëndur, të vetmet raste kur ortakët, aksionarët e shoqërisë tregtare, administratorët dhe anëtarët e këshillit të administrimit përgjigjen personalisht për detyrimet e shoqërisë, me të gjithë pasurinë e tyre janë kur:
a) abuzojnë me formën e shoqërisë tregtare për arritjen e qëllimeve të paligjshme;
b) trajtojnë pasuritë e shoqërisë tregtare si të ishin pasuritë e tyre;
c) në çastin kur kanë marrë apo duhet të kishin marrë dijeni për gjendjen e paaftësisë paguese të shoqërisë, nuk marrin masat e nevojshme, për të siguruar që shoqëria, në varësi të llojit të veprimtarisë së ushtruar, të ketë kapitale të mjaftueshme, për të përmbushur detyrimet e marra përsipër ndaj palëve të treta.
Doktrina e së drejtës e njeh parimin e sanksionuar nga neni 16 i Ligjit pë Shoqëritë Tregtare të cituar më sipër, si “piercing/lifting of the corporate veil”.
Për sa më sipër, përveç nëse administrata tatimore ka një vëndim gjykate të formës së prerë që tregon që ortaku/aksioneri/administratori ka vepruar nën kushtet e parashikuara në nenin 16 të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, gjykojmë që transferimi i detyrimit tatimor është i paligjshëm. Gjithashtu, gjykojë se do të ishte e kundërligjshme çdo masë sekuestro konservative apo masë tjetër që cënon llogaritë bankare dhe/ose pasuritë e tjera të ortakut/aksionerit/administratorit, që mund të marrë administrata tatimore. Në këtë kontekst, masa të tilla mund të merren vetëm nga gjykata kompetente gjatë gjykimit të padisë.
Ne gjykimin tonë, formulimi aktual i udhëzimit lë hapësira për abuzim nga ana e autoriteteve tatimore, pasi krijon idenë se keta te fundit kanë të drejtën të japin urdhera bllokimi pa pasur fillimisht një vendim të gjykatës së formës së prerë.
Për rrjedhojë, propozojmë që ky paragraf i Udhëzimit të ndryshohet sipas modelit më poshtë.
Parashikimi në Udhëzim Propozimi për ndryshim
“Në zbatim të nenit 99, të ligjit nr. 9920/2008, nëse pas zbatimit ndaj subjektit të të gjitha masave shtrënguese për mbledhjen me forcë të detyrimit (duke përfshirë edhe shitjen e pasurisë së sekuestruar), detyrimet tatimore të personit juridik nuk shlyhen plotësisht, administrata tatimore e transferon detyrimin tatimor të mbetur të subjektit tek ortaku, aksionari dhe administratori. Për këtë qëllim, fillimisht administrata tatimore garanton mbledhjen e detyrimit nëpërmjet vendosjes së urdhërbllokimit mbi llogaritë dhe depozitat e ortakëve, aksionarëve dhe administratorëve të subjektit dhe më pas zbaton ndaj tyre masat shtrënguese të mbledhjes me forcë të parashikuara në Ligjin nr. 9920/2008. Edhe në këtë rast, urdhërbllokimi si masë preventivuese vendoset sipas procedurave të paragrafit të dytë të kësaj pike.”
“Në zbatim të nenit 99, të ligjit nr. 9920/2008, nëse pas zbatimit ndaj subjektit të të gjitha masave shtrënguese për mbledhjen me forcë të detyrimit (duke përfshirë edhe shitjen e pasurisë së sekuestruar), në përputhje me nenin 16 te Ligjit nr. 9901, date 14.04.2008 “Për tregtaret dhe shoqëritë tregtare” i ndryshuar, Administrata Tatimore duhet të kërkojë në rrugë gjyqsore transferimin e detyrimit tatimor të personit juridik tek ortakët, aksionarët dhe tek administratorët e personit juridik. Si të tillë do të konsiderohen vetëm ata persona që figurojnë me cilësitë e mësipërme në regjistrin tregtar apo në regjistrat e tjerë ku personi juridik është i regjistruar, mbas datës se daljes se njoftimit te detyrimit tatimor për tatimpaguesin. Kjo kërkesë-padi ngrihet nga organet tatimore vetëm nëse ekziston dyshimi i bazuar se administratorët, ortakët apo aksionarët e tatimpaguesit kanë kryer njërën nga shkeljet e parashikuara nga neni 16 paragrafi 1 i Ligjit nr. 9901, date 14.04.2008 “Për tregtaret dhe shoqëritë tregtare”. Pas ketij hapi, detyrimi tatimor i kalon administratoreve, ortakeve apo aksionarëve ne përputhje me përcaktimet e vendimit gjyqësor të formës së prerë i cili i ngarkon me përgjegjësi individuale për pagesën e detyrimeve tatimore.
Urojmë sa më sipër të gjej zgjidhje nga ana Juaj. Do të gjykonim të rastit dhe një takim në lidhje me tematikën në fjalë, duke qënë se ky udhëzim, në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe praktikën më të mire, nuk është konsultuar me grupet e interesit të gjerë.
Organizatat tona janë të interesuara të kontribuojnë në përmirësimin e klimës së së të bërit biznes. Vlerësojmë se harmonizimi i legjislacionit, zbatimi i drejtë i tij dhe forcimi i shtetit të së drejtës janë ndër parimet kryesore që duhet të udhëheqin shoqërinë drejt zhvillimit të shëndetshëm të ekonomisë në vend. Mbrojtja e këtyre vlerave është e drejtë e çdo subjekti që beson në to dhe detyrim për të gjitha institucionet shtetërore.
Shpresojmë që Ministria të luajë rolin e saj si instanca më e lartë në procesin administrativ lidhur me korrigjimin e Udhëzimit në pajtim me ligjin.
Në respekt të punës Tuaj,
Shënim: Në respekt të rregullave anti Covid – 19, ky dokument është hartuar në dakortësi dhe miratuar me email nga përfaqsuesit e sipërmarrjes, si mëposhtë vijon:
BDHTISH – Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë
Ines Muçostepa
ÇIA – Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri
Antonio Nidoli
FIAA – Foreign Investors Association in Albania
Constantin von Alvensleben
ÇIFA – Dhoma Franceze e Tregtisë dhe Industrisë Francë Shqipëri
Julien Roche
IÇ – International Chamber of Commerce in Albania
Ilir Daci
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Qarku Durrës
Alban Isteri
ATTSO – Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi
Fahir Tatar
AAB – Shoqata Shqiptare e Bankave
Spiro Brumbulli
BTSH – Bashkimi Tregtar i Shqipërisë
Mira Pogaçi
KASH – Këshilli Agrobiznesit Shqiptar
Agim Rrapaj
ATA – Shoqata Shqiptare e Turizmit
Enver Mehmeti
AITA – Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit
Dritan Mezini
Dhoma Ekonomike e Gruas
Antonela Hako
Shoqata Shqiptare Hoteleri – Turizëm
Zak Topuzi
ProBusiness Albania
Edvin Premçe
Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Udhëtarëve
Kujtim Hashorva
Shoqata e Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve
Eneo Sulejmanaj
Shoqata e Transportit Ndërqytetas
Rexhin Qoshja
Shoqata e Bimëve Medicinale
Filip Gjoka
Shoqata e Grave Profesioniste Afariste dhe Zejtare
Flutra Xhabija
Shoqata e Energjive të Rinovueshme në Shqipëri
Anita Shushku
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.