Bllokimi i patentave – Kodi i ri me 2 alternativa: Procedura të gjata ose 2-fishim i gjobës
Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar propozimin e deputetit, Pjerin Ndreu për 2-fishimin e gjobave në rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, për drejtuesit e automjeteve me leje drejtimi të huaj. Referuar Kodit aktual gjobat variojnë nga 5-15 mijë lekë në varësi të shkeljesh, ndërkohë që për të gjithë ata që nuk duan të paguajnë gjobat e larta do të kenë si alternativë procedurën aktuale, pavarësisht se ajo është konsideruar si burokratike dhe shton mundësitë për korrupsion.
“Procedura e kalimit nga policia në prefekturë, nga prefektura në polici, nga policia në Ministrinë e Jashtme, nga Ministria e Jashtme në konsullatën e vendit ku shkon është një tmerr. Me propozim është alternativa, pra konvertohet thotë këtu. Pra, nëse ti dëshiron mund të hysh në procedura për ta marrë patentën shpejt, nëse nuk dëshiron bëj 3 muaj sa të kalojë historia e dënimit dhe kjo është zgjedhja jote. Është në dëshirën e personit konkret, sepse ka shumë diskutim, disa e marrin gjykimin nga efekti financiar. Efekti financiar për tre muaj sorollatje është ma merr mendja 20-fish më i rëndë”, u shpreh Ndreu.
Sipas kreut të policisë rrugore, Mithat Tola, për vitin 2017 janë penalizuar 675 drejtues mjetesh me leje drejtimi të huaj.
“Nga 1 milion drejtues mjeti që janë futur vitin e kaluar, janë 675 leje drejtimi të pezulluara. Dyfishi është një gjë normale pasi do t’i falim lejen e drejtimit dikujt që është konstatuar me alkool, qoftë ky francez ose italian, ose gjerman ose kosovar”, u shpreh Drejtori i Policisë Rrugore.
Nga ky ndryshim i Kodit Rrugor pritet të përfitojnë emigrantët shqiptarë që janë të pajisur me patenta të huaja, shtetasit kosovarë, maqedonas, por edhe turistët që vizitojnë Shqipërinë. Për të kaluar ndryshimet në parlament do të nevojitet edhe dakordësia e opozitës, pasi ndryshimi i këtij akti ligjor kërkon 84 vota.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.