Bllokohen mbi 1600 koli pije energjike – AKU: Nuk kishin dokumentacion të sigurisë ushqimore
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 1648 koli pije energjike, të cilat nuk ishin të shoqëruara me asnjë dokument që demonstronte origjinën, cilësinë dhe certifikimin e produktit.
Trupa inspektuese e DRAKU, Korçë, e përforcuar nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU ushtroi kontroll në dy magazinat e shtetasit P.G. ku u konstatua në njërën prej magazinave 1648 koli pije energjike në shkelje flagrante të kërkesave ligjore për gjurmueshmërinë e produkteve. Ndërsa në magazinën tjetër u gjendën kushte jashtë çdo standardi të higjienës dhe sigurisë ushqimore.
Për shkeljet e mësipërme u morën masat: ndalim i aktivitetit, bllokimi I produktit si dhe masë administrative, gjobë në vlerën 700.000 lekë.
Për trajtimin e mëtejshëm të rastit, AKU po bashkëpunon me strukturën përkatëse te krimit ekonomik te policisë së Shtetit dhe autoritetin doganor.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën thirrje konsumatorëve, sidomos gjatë sezonit të temperaturave të larta, por edhe ne çdo periudhë tjetër të vitit që të denoncojmë pranë AKU-së raste të shkeljeve të sigurisë ushqimore që dinë apo dyshojnë, si dhe të refuzojnë të blejnë në shitës ambulant, të cilët tregtojnë bulmet të pasigurt, të pa licencuara, pa NIPT dhe pa kupton tatimor
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.