Bllokohet dhënia e tapive – Qeveria pezullon kalimin e pronësisë së tokave bujqësore në gjithë bregdetin
Një vendim i Këshillit të Ministrave që mban datën 27 shkurt bllokon përkohësisht kalimin e tokave te fermerët në zonat bregdetare me përparësi turizmin. Vendimi, i cili është zbardhur në fletoren zyrtare 2 muaj më pas më 8 maj, urdhëron pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në mbështetje të projekteve investuese në turizëm.
Harta bashkëlidhur vendimit përfshin pasuritë e paluajtshme, të evidentuara në zonat kadastrale, të miratuara me vendimet e Këshillit të Ministrave, nr. 707, datë 21.11.2018, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të disa pronave të paluajtshme shtetërore, në vijën bregdetare Shkodër–Fier” dhe nr. 708, datë 21.11.2018, “Për regjistrimin dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të disa pronave të paluajtshme shtetërore, në vijën bregdetare Vlorë-Sarandë”.
Qeveria ngarkon Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe bashkitë Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol për zbatimin e këtij vendimi.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.