Blloku i Sigurisë, godina e re 5 kate që do të ndërtohet te “Mine Peza” në Tiranë! Hapet tenderi, fotot e detajet e projektit

Drejtoria e Policisë së Tiranës ka hapur tenderin për ndërtimin e një godine të re në rrugën Mine Peza në Tiranë. Fondi limit është 251 milion lekë ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është 22 prill 2019. Pas shpalljes së fituesit, godina parashikohet të ndërtohet për një periudhë 24 mujore.
Referuar dokumenteve të tenderit të shpallur në Agjencinë e Prokurimeve Publike, prona në të cilën mendohet të krijohet Blloku i Dhomave të Sigurisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është me vendndodhje në zonën kadastrale nr.8350, me numër pasurie 4/459, sipas dokumentit hipotekor “Çertifikatë për Vërtetim Pronësie nr.1271152, lëshuar më date 15.02.2016”, me adrese Rruga Mine Peza, Tiranë.
Sipërfaqja totale është 746 metra katrore ndërsa sipërfaqja ndërtimore (objekti 1-kat) 351.6 m2 Prona ka komponent përbërës të saj një objekt 1-kat, i cili është ndërtuar në vitin 1969, me konstruksion mbajtës me kollona dhe mur tulle dhe është në gjendje tepër të amortizuar dhe jashtë shërbimit.
Për këtë objekt kërkohet prishja e tij dhe sipërfaqja e lire e truallit nënobjekt që përftohet nga prishja, bëhet pjesë e sipërfaqes totale të lirë të pronës 746 m2 që do të jetë objekt studimi për ndërtimin e Bllokut të Sigurisë së DVP Tiranë dhe të ambienteve të tjera ndihmëse të kësaj strukture.
Vendi ku do të ndërtohet godina e re kufizohet me “Burgun 313” dhe me rrugën “Mine Peza”dhe me shkollën “Jeronim de Rada”pjesë e Njësisë Bashkiake nr.9 dhe është pronë e Shtetit Shqiptar.
Objekti i ri që do të ndërtohet i përket kategorisë të veprave civile të rëndësisë të veçantë. Përbëhet nga një strukturë e vetme 5 kate me 1 kat bodrum.
Blloku i Dhomave të Sigurisë do të ketë në katin nëntokë dhomë kontrolli për të ndaluarit, detektorë, garazh për 40-50 automjete etj. Kati i parë përdhe parashikohet të ketë zyrë për shefin e seksionit, ambiente për veshjet e armët, sallë mbledhjesh etj. Kati i parë parashikohet të ketë dhomë mjeku, dhomë intervistimi, dhomë për paraqitje e për njohje, dhoma sigurie, ambiente për veshje dhe ushqime për të ndaluarit etj.
Katet 2 dhe 3 parashikohet gjithashtu që të kenë dhoma mjeku, dhoma intervistimi, ambiente për veshjet e ushqimet për të ndaluarit etj. Ndërsa kati i katërt veç dhomës së mjekut, dhomës së njohjes, e zyrave të administratës, parashikohet të ketë 15 dhoma sigurie.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.