Bloomberg rendit aktivet kryesore – Leku, te valutat me performancën më të mirë për 2017
Me javën e fundit tregtare të këtij viti që po përfundon, Bloomberg ka publikuar aktivet me performancën më të mirë e më të keqe për 2017-ën, përfshirë titujt e kapitalit, borxhit, lëndët e para si dhe valutat.
Ndër valutat me performancën më të mirë, Bloomberg ka renditur edhe lekun, që ka shtuar rreth 14.5% kundër dollarit amerikan. Vendin e parë e zë valuta e Mozambikut, ndërsa euro renditet në vend të 8, pasi ka marrë vrull këtë vit me pritshmëritë për lajmërimin e përfundimit të programit lehtësues nga Banka Qendrore Europiane. Valuta e Uzbekistanit ndërkohë ka patur performancën më të keqe, pasi është hequr tavani me dollarin amerikan.
Përgjithësisht, aktivet me risk të lartë kanë patur performancë të mirë, kryesisht aksionet, titujt e borxhit në tregjet në zhvillim dhe borxhin korporativ. Megjithatë, kjo nuk është asgjë krahasuar me kriptovalutat, me Bitcoin që është rritur me rreth 2,000%, ndërsa monedha të tjera rivale si ethereum dhe litecoin, që kanë shtuar mbi 6,000% të vlerës.
Indeksi i titujve të kapitalit në Ukrainë është rritur me 80%, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi gjatë muajit Maj se pret një rimëkëmbje të ekonomisë, gjë që solli optimizëm te investitorët. Këta të fundit i janë drejtuar tregjeve në zhvillim këtë vit, në kërkim të kthimeve më të larta.
Megjithatë, viti nuk ka qenë aq pozitiv për Katarin dhe Pakistanin, indekset e të cilave kanë rënë me 16.5% dhe 22% në mënyrë respektive. Vendi i Gjirit Persik ka qenë në disavantazh prej shkëputjes së lidhjeve diplomatike e të transportit nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Bahreini dhe Egjipti. Në tregun e titujve të borxhit, Greqia dhe Argjentina kanë patur performancën më të mirë, ndërsa Japonia dhe Venezuela renditen nga fundi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.