Bloomberg sulmohet nga të gjithë – “Një miliarder arrogant që po përpiqet të blejë zgjedhjet”
Michael Bloomberg u përball me një serë sulmesh në debatin e parë presidencial, ndërkohë që rivalët kritikuan miliarderin mbi historikun e garës, komentet seksiste dhe përdorimin e pasurisë gjigante për të kryesuar në garë. Gjatë debatit të egër ku votuesit panë për herë të parë manjatin e mediave pa një skenar të shkruar, Bloomberg u shfaq në siklet dhe i pavendosur, ndërkohë që u mbrojt nga sulmet dhe argumentoi se ai është shansi më i mirë i demokratëve për të mposhtur Donald Trump në Nëntor.
“Jam një filantrop që nuk kam trashëguar para por i kam bërë vetë. Unë do i shpenzoj këto para për të larguar Donald Trump, presidentin më të keq që kemi pasur në histori. Nëse e bëj këtë, do të jetë kontribut i madh për Amerikën dhe fëmijët e mij”, është shprehur Bloomberg
Bernie Sanders, Elizabeth Warren, Amy Klobuchar, Joe Biden dhe Pete Buttigieg, u rreshtuan kundër Bloomberg, që ka pasur rritje në sondazhe falë reklamave të shtrenjta. Të gjithë kandidatët e akuzuan atë se po përpiqet të blejë zgjedhjet dhe se historiku i tij si kryebashkiak dhe biznesmen nuk është aq pozitiv për të mposhtur Trump.
“Po garojmë me një miliarder që ofendon gratë. Nuk po flas për Donald Trump, po flas për Kryebashkiakun Bloomberg. Demokratët po bëjnë një gabim të madh nëse zëvendësojnë një miliarder arrogant me një tjetër”, është shprehur Elizabeth Warren
Bloomberg, që i’u bashkua garës në muajin Nëntor dhe ka anashkaluar 4 votimet e hershme në Shkurt për t’u përqendruar në garat e mëvonshme, është rritur në vend të 2 mes demokratëve, pas Sanders.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.