“BMI/Fitch” për Shqipërinë – Ekonomia do përshpejtohet, por BSH do mbajë normat e ulëta
Kontraktimi i vazhdueshëm në kreditimin e sektorit privat si dhe projeksionet që flasin për një inflacion beninj në terma afat-mesëm, sugjerojnë që Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të mbajë politikat monetare në kahun akomodues përgjatë 18 muajve të ardhshëm, thotë Bmi Research pjesë e agjencisë “Fitch” në raportin e fundit për vendin tonë.
Normat e interesit do të vijojnë kështu të mbeten të ulëta, thotë agjencia, paçka se shifrat flasin për një përmirësim të ekonomisë. Këtë gjë, agjencia e mbështet edhe me shifra.
Së pari, ka rishikuar në rritje ekonominë e vendit tonë. Në raportin e kaluar projektonte një normë rritje të ekonomisë në vetëm 3.3% për këtë vit, ndërkohë që tani flet për 3.6% rritje.
Projeksionet për vitin e ardhshëm ndërkohë mbeten të pandryshuara në 3.3%. Në rënie të ndjeshme janë rishikuar projeksionet për ecurinë e çmimeve të konsumit, në 2% përgjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm.
Ndër të tjera, BMI në këtë raport flet edhe për optimizmin që rrethon si pasojë e reformës në drejtësi rrjedhojë e fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e Korrikut, por shton se, ka faktorë të tjerë që reformën nuk e duan, duke bërë që agjencia të jetë skeptike në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda dekadës së ardhshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.