BMW dhe Daimler, në luftën tregtare – Tarifat kineze dëmtojnë më shumë prodhuesit gjermanë se ato në SHBA

Tarifat kineze mbi prodhuesit amerikan të makinave pritet të godasin më shumë gjigantët gjermanë si BMW dhe Daimler në vend të firmave të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Pekini ka kërcënuar me taksa të reja 106 mallra të prodhuara në SHBA, në kundërpërgjigje të tarifave të lajmëruara nga Donald Trump mbi importet kineze.
Kina ka aktualisht një taksë prej 25% në importet globale të makinave dhe po kërcënon me 25% shtesë për automjetet e prodhuara në SHBA. Sipas analistëve, tarifat e reja mbi makinat pritet të sjellin një kosto prej 1.73 miliardë dollarë këtë vit për firmat gjermane si BMW dhe Daimler. Për rrjedhojë, në luftën tregtare pritet të tërhiqen 3 ekonomitë më të mëdha të botës; SHBA, Kina dhe Bashkimi Europian.
Ford, Fiat dhe General Motors nuk pritet të ndikohen gjerësisht ndërkohë që i ndërtojnë produktet e destinuara për Kinën brenda vendit.
Sipas analistëve, BMW do të pësojë goditjen më të madhe, me 965 milionë dollarë vetëm për 2018-ën, duke marrë parasysh se do të gjenerojë thuajse 4 miliardë dollarë në shitje nga makinat e ndërtuara në SHBA dhe dërguar në Kinë. Vlerësimi supozon se çmimi i një transaksioni arrin në 60,000 dollarë për makinë.
Në rastin e Daimler, kosto për 2018-ën vlerësohet në 765 milionë dollarë, bazuar kjo në 51,000 makinat që pritet të eksportohen në Kinë.
Firma amerikane, Tesla, nuk ofron të dhëna mbi dërgesat drejt Kinës, por sipas të dhënave të të ardhurave, ka gjeneruar thuajse 2 miliardë dollarë nga shitjet në 2017-ën. Nga ana tjetër, emrat e mëdhenj amerikan si Fiat, Chrysler dhe Ford, kanë fabrika në Kinë dhe shihen si të paprekura nga tensionet e fundit tregtare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.