Boçi: “36 mijë mësues në të gjithë Shqipërinë pa kontrata pune! Ministria e Arsimit refuzon të firmosë prej 6 muajsh”
36 mijë mësues të arsimit parauniveristar janë prej 6 muajsh pa kontratë pune, ndërkohë që Ministria e Arsimit refuzon të nënshkruajë kontratën kolektive me sindikatat duke shkelur ligjin.
Kështu është shprehur në një deklaratë për mediat, deputeti i PD, Luçiano Boçi, ku ndër të tjera tha se mungesa e kontratës së punës që prej 31 majit i mban mësuesit të pasigurt në vendet e punës.
“Ata janë të pambrojtur dhe Ministria e Arsimit mund të marrë në çdo kohë vendim arbitrar për largimin e tyre, siç edhe ka ndodhur. Ka edhe dy arsye të tjera, përse ministrja nuk firmos kontratën kolektive për 36 mijë mësuesit e Shqipërisë. Sepse qeveria refuzon t’u paguajë mësuesve pagën e 13-të dhe sepse refuzon t’u japë shpërblimin e fundvitit. Refuzimi për të lidhur kontrata me mësuesit e sistemit parauniversitar, është në kontrast me vendimin e qeverisë, e cila, për shembull, paguan për një incinerator pa u ndërtuar dhe për check up-in pa u bërë fare analizat. Veprimi me dy standarde i qeverisë është i qartë: klientëve më të cilët ndajnë miliona euro, u jepet siguri me kontrata dhjetëvjeçare, ndërsa arsimtarët lihen të pasigurt dhe të papaguar”, tha Boçi.
Kërkesa për kontratat e mësuesve kanë qenë pjesë e diskutimeve në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik kur diskutohej buxheti për vitin 2018, ku në seancë ishin të pranishëm përfaqësuesit e sindikatave të arsimit.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.