Banka e Anglisë arrin objektivin, inflacioni pranë 2%

Projeksionet e fundit tregojnë se, norma e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar është ngjitur pranë 1.9% gjatë muajit Janar. Kjo do të thotë se, Banka e Anglisë ka arritur objektivin, për të parën herë në tre vitet e fundit. Gjithashtu, të dhënat tregojnë se, mbretëria ndjek trendin global, që flet për një rimëkëmbje të ndjeshme të inflacionit.
Pas Shteteve të Bashkuara dhe Eurozonës, Britania është e fundit në serinë e atyre që raportojnë një arritje të përkohshme të objektivit të inflacionit. Në rastin britanik, objektivi flet për një normë pranë dhe më poshtë se 2%.
Hera e fundit që institucioni prekte këtë objektiv ishte viti 2013. Në muajin Dhjetor të vitit të kaluar, inflacioni preku 1.6%. Për Janarin, projeksionet variojnë nga 1.7 deri në 2.1%. Me çmimet e energjisë në rritje dhe paundin e dobët që po nxit çmimet e importit, Banka e Anglisë vlerëson se inflacioni do të prekë 2.8% në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Një normë e tillë e kombinuar me mungesën e rritjes së pagave, përkthehet në rënie të konsumit, që është edhe lokomotiva e rritjes ekonomike të Mbretërisë.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.