BOJ përmirëson perspektivën – Rajonet në rritje të moderuar, kërcënojnë politikat e Trump

Banka e Japonisë ka dhënë perspektivën më optimiste në një dekadë për ekonomitë rajonale të vendit, pavarësisht se disa firma paralajmërojnë se pasiguritë në lidhje me politikat tregtare në SHBA mund të dëmtojnë planet e tyre për shpenzimet kapitale.
Guvernatori, Haruhiko Kuroda, përsëriti qëndrimin e Bankës Qendrore për të mbajtur politikat lehtësuese monetare, ndërkohë që inflacioni është ende larg objektivit prej 2%.
“Ekonomia e Japonisë vazhdon në një trend të rimëkëmbjes”, tha Kuroda në një takim me manaxherët rajonalë të degëve të Bankës Qendrore.
Në një raport pas takimit, Banka Qendrore dha një vlerësim më optimist mbi ekonominë, për 8 nga 9 rajonet e Japonisë, krahasuar me 3-mujorin e fundit të 2016-s.
Dy rajone, përfshirë Tokai, ku është vendosur gjiganti i makinave Toyota, kanë patur një zgjerim të moderuar ekonomik. Shumë prodhues japonez kanë përfituar nga kërkesa e fortë e jashtme për pjesët elektronike, tregon raporti, duke sinjalizuar se rimëkëmbja e Japonisë varet ende nga eksportet e forta.
Dy rajone të tjera kanë patur një përmirësim në konsumin privat nga tremujori i kaluar, pasi tregu i fortë i punës ka nxitur rritjen e pagave në kompani. Megjithatë, ka patur ankesa mbi politikat tregtare në SHBA.
Disa prodhues tregojnë se kanë shtyrë planet për shpenzimet kapitale duke marrë parasysh perspektivën e paqartë globale, ndërsa të tjerë kanë ndaluar rritjen e kapacitetit në fabrikat që zotërojnë në Meksikë.
Donald Trump ka kërcënuar që të ndryshojë rregullat tregtare në favor të amerikanëve, duke përkeqësuar pozitën e eksportuesve japonezë. Disa analistë thonë se Presidenti mund të sulmojë politikat monetare të Bankës së Japonisë, duke i etiketuar si një përpjekje për të mbajtur valutën e dobët.
Banka e Japonisë ka bërë të ditur se stimujt synojnë vetëm “mposhtjen” e deflacionit dhe nuk lidhen në mënyrë direkte me kursin e këmbimit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.