Bolsonaro: Vaksinat e Covid shkaktojnë SIDA-n – Gjykata e lartë braziliane hap hetimin ndaj tij!
Gjykata e Lartë e Brazilit ka urdhëruar një hetim mbi pretendimin e rremë të Presidentit Jair Bolsonaro se njerëzit që janë vaksinuar kundër Covid-19 mund të kenë një rrezik më të lartë për t’u prekur nga SIDA.
Bolsonaro i bëri pretendimet e pavërteta në një video të transmetuar drejtpërdrejt në platforma të shumta të mediave sociale në tetor. Ai u pezullua përkohësisht nga Facebook dhe YouTube pas komenteve.
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes nisi hetimin në përgjigje të një kërkese të komisionit parlamentar të vendit, i cili ka hetuar përgjigjen e qeverisë së Bolsonaro ndaj pandemisë shkatërruese Covid-19, sipas një deklarate të postuar nga llogaria zyrtare e gjykatës në Twitter të premten.
Bolsonaro është kritikuar gjerësisht brenda dhe jashtë vendit për uljen e ashpërsisë së virusit, duke përfshirë dekurajimin e njerëzve për t’u vaksinuar, pavarësisht se Brazili po lufton me një nga shpërthimet më të këqija të koronavirusit në botë.
Komisioni parlamentar ka pasur akses në dokumente që tregojnë se qeveria ka injoruar të paktën 81 oferta vaksinash nga Pfizer në vitin 2020.
Sipas Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për HIV dhe AIDS, vaksinat Covid-19 të miratuara nga rregullatorët shëndetësorë janë të sigurta për shumicën e njerëzve, përfshirë ata që jetojnë me HIV, virusi që shkakton sindromën e fituar të mungesës së imunitetit të njohur si SIDA.
Bolsonaro është i vetmi president i G20 që pretendon se nuk është vaksinuar. Pavarësisht kësaj, dhe vonesës së Brazilit në fillimin e një programi vaksinimi, 60% e popullsisë së vendit është vaksinuar plotësisht, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Brazilit.
Brazili regjistroi 221 vdekje të lidhura me Covid-19 të Premten, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Vendi ka regjistruar 615,400 vdekje nga Covid që nga fillimi i pandemisë. CNN
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.