Bombolat, gjobiten 72 operatorë – ISHTI: Siguria, bizneset të certifikojnë pajisjet nën presion
Gjatë 7-mujorit të parë të këtij viti, Inspektorarti Shtetëror Teknik dhe Industrial ka gjobitur 72 operatorë, të cilët janë gjetur në shkelje të ligjit, duke u penalizuar me masa administrative që variojnë nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.
Po ashtu, për këtë periudhë kohore, janë kontrolluar 2300 pajisje nën presion, ndërsa janë mbajtur mbi 1400 Akt Inspektimi si dhe mbi 200 urdhër-ndalese.
Për shkak të temperaturave të larta dhe sezonit tristik ISHTI ka intensifikuar kontrollet, ndërsa i kërkon të gjithë operatorëve ekonomikë të mos shfrytëzojnë pajisje nën presion pa i certifikuar teknikisht dhe pa i pajisur me dokumentacionin teknik.
Gjithashtu, këta operatorë kanë detyrimin e regjistrimit të këtyre pajisjeve pranë këtij institucioni, pasi në të kundërt parashikohen masa administrative.
Po ashtu, ISHTI i bën thirrje të gjitha shoqërive që tregtojnë me shumicë gaz të lëngshëm natyror mos të furnizojnë asnjë operator ekonomik që ka të instaluar pajisje nën presion, nëse këto pajisje nuk janë të regjistruara.
Nga ana tjetër, edhe konsumatorët familjarë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm, kur marrin bombolat e gazit, pasi duhet të sigurohen paraprakisht se bombolat të jenë të kolauduara, çka do të thotë që të jenë të certifikuara me të gjithë elementët teknikë të sigurisë.
Vetëm pak ditë më parë, në një kompleks turistik në Velipojë shpërtheu një bombol gazi, duke shkaktuar vdekjen e pronarit dhe plagosjen e djalit të tij. Sipas ISHTI, subjekti i mësipërm, për nevoja të aktivitetit, kishte instaluar një rezervuar gazi nëntokësor vertikal, me volum rreth 1 000 litra, jashtë normave dhe kushteve teknike.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.