Bonot 12-mujore në 2.67% – Rënia e janarit nuk gjen vijimësi
Interesat e bonove të thesarit ishin të qëndrueshme në ankandin e të mërkurës dhe rënia që ishte verifikuar në ankandin e parë të vitit nuk pati vijimësi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot 12 mujore u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.67%, nga 2.66% që kishte qenë interesi në ankandin e janarit.
Tregu vazhdon të shfaqë likuiditet të lartë dhe kërkesa në ankande arriti në 14.3 miliardë lekë, nga 10.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave. Megjithatë, interesat nuk pësuan rënie të mëtejshme, çka dëshmon se, për momentin, tregu ka gjetur një lloj ekuilibri dhe pritshmëritë janë për vazhdimin e tendencës në rritje të lehtë dhe graduale. Ekspertët besojnë se ky ngelet skenari më i ngjashëm për tregun e letrave të borxhit qeveritar gjatë vitit 2018.
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar vazhdimin e politikës monetare lehtësuese edhe për këtë vit, pa rritje të normës bazë të interesit. Megjithatë, përmirësimi i ekonomisë dhe rritja e inflacionit forcojnë pritshmëritë për rritje të interesave në një horizont afatmesëm. Këto pritshmëri mund të reflektohen në interesa disi më të larat në tregun financiar, qysh këtë vit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.