Bonot e Thesarit – E mbyllin në rritje vitin 2017
Interesat e bonove të thesarit e mbyllën vitin 2017 me një tjetër rritje. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan të premten me një interes mesatar të ponderuar prej 2.77%, nga 2.63% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Edhe bonot me maturim 3-mujor shënuan një rritje të lehtë në nivelin 1.31%, nga 1.22% që kishin qenë në ankandin e fundit.
Në total, kërkesa e tregut për bonot rezultoi lehtësisht më e ulët se shuma e kërkuar për financim nga Ministria e Financave, ku pak interes pati për bonot 3-mujore, edhe për shkak të kthimeve ende të ulëta që siguron ky instrument. Megjithatë, gjysma e dytë e vitit 2017 u karakterizua nga një rritje e lehtë, por e vazhdueshme e yield-eve të letrave të borxhit qeveritar.
Në shtatë muaj, yield i bonove 12 mujore është rritur gjithsej me 0.9 pikë përqindjeje. Kjo ecuri është kryesisht një ekuilibrim i tregut drejt niveleve më të arsyeshme, duke qenë se interesat e bonove patën zbritën në nivele ku zor se siguronin ndonjë përfitim për investitorët institucionalë dhe sidomos për bankat. Nga ana tjetër, rritja e yield-eve të bonove paralajmëron edhe një zhvendosje të interesave në tregjet financiare prej niveleve më të ulëta historike.
Ndonëse Banka e Shqipërisë nuk parashikon të rrisë normën bazë të interesit as vitin e ardhshëm, në një horizont afatmesëm rimëkëmbja e ekonomisë do të diktojë ndryshimin e kursit të politikës monetare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.