Bonot e thesarit – Rritje e lehtë e interesave, tregu i qëndrueshëm

Interesat e bonove të thesarit regjistruan një rritje të papërfillshme në ankandet e të martës, duke konfirmuar një periudhë stabiliteti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.1%, nga 2.06% që kishte qenë interesi në ankandin e muajit të kaluar.
Edhe bonot me maturim 6-mujor regjistruan një rritje të lehtë në 1.65%, nga 1.54% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm.
Kërkesa e tregut për bono ishte sërish e lartë, për një total prej 15.5 miliardë lekësh, kundrejt 13.9 miliardë lekëve të shpallura nga qeveria për financim.
Në dy muajt e fundit, tregu i instrumenteve të borxhit qeveritar po shfaqet mjaft i qëndrueshëm, pas luhatjeve të forta të interesave që nga mesi i vitit të kaluar.
Nivelet aktuale duket se mund të garantojë një kthim të arsyeshëm për investitorët, në kushtet kur normat e interesit në tregjet financiare janë ende pranë vlerave më të ulëta historike.
Ekspertët presin që interesat e bonove të qëndrojnë të ulëta edhe gjatë këtij viti, në reflektim edhe të politikës monetare lehtësuese.
Interesat e bonove në këto nivele nuk ushtrojnë presione për rritje domethënëse në interesat e depozitave dhe të kredive bankare.
Megjithatë, cikli në përmirësim i ekonomisë shqiptare pritet të sjellë një rritje graduale të interesave në tregjet financiare, me shumë të ngjarë duke filluar nga viti 2018.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.