Bonot e Thesarit – Tregu likuid, interesat bien përsëri
Interesat e bonot të thesarit ranë përsëri në ankandet e kësaj jave. Sipas Bankës së Shqipërisë bonot 12-mujore u emetuan me një normë mesatare të ponderuar prej 2.39%, nga 2.47% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
E njëjta gjë ndodhi me bonot 6-mujore, ku interesi mesatar ra në 1.84%, nga 2.04% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Rënia e interesave të bonove në muajt e parë të këtij shpjegohet me një gjendje të larta likuiditeti në sistemin financiar, që po përkthehet në kërkesë të shtuar për titujt e qeverisë.
Kërkesat në ankandet e kësaj jave arritën vlerën e mbi 15 miliardë lekëve, nga 12.3 miliardë lekë që ishte vlera e bonove të shpallura për shitje nga Ministria e Financave. Kjo është një tendencë e ngjashme me të njëjtën periudhë të vitit 2017, kur interesat e bonove kaluan një cikël në rënie gjatë pjesës së parë të vitit.
Kërkesa e më e lartë për bono mund të shpjegohet me një ecuri të vakët të kreditimit në muajt e parë të vitit, çka është edhe një veçori sezonale. Ndonëse kredia e re është rritur krahasuar me një vit më parë, stoku i kredisë muaj pas muaji është në stanjacion, sepse bankat nuk arrijnë t’i riinvestojnë të gjitha kreditë e maturuara.
Rrjedhimisht, një pjesë e fondeve të lira investohen në bono thesari dhe obligacione. Kjo ka frenuar tendencën e rritjes së interesave për këto instrumente, që zgjati gjatë gjithë gjysmës së dytë të vitit 2017.
Interesat e ulëta pasqyrojnë sinjalet e dhëna në treg nga Banka e Shqipërisë, që ka paralajmëruar vazhdimin e politikës monetare lehtësuese edhe për vitin 2018. Interesat e ulëta të bonove të thesarit ndihmojnë në ruajtjen e interesave të ulëta edhe për kredinë afatgjatë në lekë, që zakonisht ndërtohen mbështetur në interesat e bonove të thesarit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.