Bonot e thesarit – Vijon rritja, yield-i arrin në 2.46%

Interesat e bonove të thesarit vijuan rritjen edhe në ankandin e parë të muajit tetor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e kësaj jave, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.46%, nga 2.34% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm. Në ankand, qeveria siguroi të gjithë shumën e shpallur për 8.2 miliardë lekë hua, ndërsa vlera totale e kërkesave arriti në rreth 9.2 miliardë lekë.
Në rritje rezultoi edhe interesi i bonove me maturim 6-mujor, që arriti në 1.82%, nga 1.65% që kishte qenë në ankandin paraardhës. Tregu primar i letrave të borxhit qeveritar po ndjek një trajektore graduale të rritjes së interesave, rritja e kurbës paraqitet mjaft e butë dhe pa goditje të papritura.
Kjo fazë qëndrueshmërie i paraprin një cikli të mirëfilltë rritjeje që pritet të ndodhë që nga viti i ardhshëm, kur, me shumë të ngjarë, kursi i politikës monetare mund të ndryshojë, pasi pritet që inflacioni të kthehet në objektiv.
Nga ana tjetër, gjallërimi i kërkesës dhe shëndoshja e sistemit bankar pritet të përmirësojë kreditimin, duke zhvendosur më shumë fonde në financimin e sektorit privat.
Megjithatë, deri tani, qëndrueshmëria relative në tregun e bonove po favorizon ruajtjen e normave të ulëta të interesit në ekonomi.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.