Bonot e Thesarit – Viti 2018 fillon me rënie të yield-it
Interesat e bonove të thesarit pësuan një rënie të lehtë në ankandin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot 12 mujore u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.66%, nga 2.77% që kishte qenë interesi në ankandin e fundit të vitit 2017. Ky është ankandi i parë në pothuajse shtatë muaj kur yield-et e bonove pësojnë një rënie domethënëse.
Arsyeja kryesore duket të jetë likuiditeti i lartë në tregun financiar. Nga 9.2 miliardë lekë të shpallura nga qeveria për financim, kërkesat e paraqitura në ankand arritën në afro 13.2 miliardë lekë. Një tendencë e ngjashme u verifikua edhe në fillim të vitit të kaluar. Me sa duket, fillimi i vitit është një periudhë kur institucionet financiar dhe sidomos bankat kanalizojnë më shumë investime në tregun e letrave me vlerë, për shkak se kjo periudhë është më e vakët sa i takon kërkesës së sektorit privat për kredi.
Nga ana tjetër, treguesit e likuiditetit të sistemit bankar ngelen në nivele mjaft të larta. Raporti mes kredive dhe depozitave për të gjithë sistemin bankar është mesatarisht 55%. Megjithatë, rënia në ankandin e parë të këtij viti ishte në përmasa modeste dhe është vështirë të thuhet nëse do të gjejë vijimësi gjatë ankandeve të ardhshme. Në afatin e shkurtër, luhatjet e lehta nuk janë për t’u përjashtuar, por, në një afat më të gjatë, projeksioni më i ngjashëm ngelet një rritje graduale e interesave të letrave të borxhit qeveritar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.