Bonot, sërish në 2% – Interesat bien për të pestin ankand radhazi

Interesat e bonove të thesarit ranë sërish në ankandin e të martës, duke regjistruar kështu uljen e pestë radhazi.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.03%, në rënie nga niveli prej 2.46% i ankandit të mëparshëm. Sërish tregu shfaqi oreks të lartë për të investuar në bonot e qeverisë shqiptare.
Nga 9.2 miliardë lekë bono të ofruar në ankande nga Ministria e Financave, kërkesat totale arritën në afro 14 miliardë lekë. Ekspertët mendojnë se në rritjen e kërkesës për bono mund të ketë ndikuar shtimi i likuiditetit të injektuar në treg nga Banka e Shqipërisë, përmes marrëveshjeve të riblerjes.
Interesat e titujve të qeverisë shqiptare u rritën në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, për shkak të rënies së kërkesës së tregut për bono në lekë, por, papritur, në fillim të këtij viti, situata ndryshoi.
Vlera e kërkesave të paraqitura në ankandet e bonove dhe obligacioneve u rrit ndjeshëm. Pjesërisht kjo mund të lidhet me një periudhë më të vakët të kreditimit të sektorit privat, por, për ekspertët shpjegimi kryesor mund të jetë roli i Bankës së Shqipërisë.
Pasi qeveria vuajti në fund të vitit të kaluar për të siguruar financimin e nevojshëm në lekë, me sa duket, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për të rritur përkohësisht likuiditetin në treg, çka ka sjellë rrjedhimisht edhe një ulje të interesave.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.