Bonusi i bebes rrit lindshmërinë? – Manastirliu: ”E kanë marrë 18,500 fëmijë. INSTAT: Numri i lindjeve ra me 5.7%”
Rreth 18 500 fëmijë, të lindur nga 1 janari 2019 kanë përfituar bonusin e bebes, një masë e ndërmarrë nga qeveria për stimulimin e lindshmërisë në vend. Të drejtë për të përfituar e kanë edhe fëmijët e lindur jashtë vendit, çka ka bërë që gjatë muajit të fundit, si pasojë e fluksit të emigrantëve të rriten ndjeshëm dhe shifrat e përfitimit të tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se janë 3539 fëmijë të lindur jashtë vendit, që kanë përfituar bonusin, i cili është në masën 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin e në vijim. Megjithatë, ajo që vlen të theksohet është fakti se ndonëse programi ka për qëllim mbështetjen e familjeve të reja dhe lindshmërinë, duke se ai nuk ka dhënë efektet e pritshme. Kjo pasi, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, për 3-mujorin e dytë të vitit, u evidendua rënie e numrit të lindjeve me 5.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Treguesve Demografikë shtesa natyrore e popullsisë, për periudhën janar-qershor ra me 5,5 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2018, ndonëse numri i lindjeve tejkaloi me 1.585 numrin e vdekjeve. Të njëjtat të dhëna treguan se 9 nga 12 qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve për këtë periudhë, duke diktuar nevojën e masave shtesë që do të stimulonin prindërit për të lindur një fëmijë.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.