Bonusi i strehimit – Qeveria paguan 50% të qirasë, nëse njësia vendore s’ka fonde

Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, njësitë e qeverisjes vendore, brenda datës 30 maj të çdo viti, duhet të paraqesin pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit kërkesat për bonus strehimi, të shoqëruar me kostot financiare për çdo familje, si dhe listën e detajuar të familjeve përfituesve.
Për të gjitha njësitë vendore, të cilat nuk kanë fonde të miratuara në buxhetet e tyre për bonus strehimi, do të jetë qeveria që do të paguajë.
Kështu, pagesa do të bëhet nga buxheti i shtetit deri në masën 50 për qind të qirasë, ndërkohë që pjesa e mbetur do të paguhet nga vetë qytetari që përfiton bonusin e strehimit.
Një tjetër vendim i Këshillit të Ministrave ka të bëjë me miratimin në parim të marrëveshjes së garancisë, ndërmjet bankës gjermane KfW dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit.
Shuma e huasë do të jetë në vlerën e 50 milionë eurove, që do të përdoren për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri-Maqedoni”. Në pjesën shqiptare, kjo linjë kalon në Fier-Elbasan-Qafëthanë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.