Bordi i AMF-së – Kuvendi e ka “harruar” me tre anëtarë
Pasi vitin e kaluar neglizhoi afatet e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Kuvendi po e përsërit veten këtë vit me Bordin Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Aktualisht, ky institucion vepron pa kryetar Bordi dhe pa njërin nga anëtarët. Për më tepër, posti i anëtarit vakant i takon zëvendësdrejtorit ekzekutiv të AMF-së, çka prek jo vetëm vendimmarrjen, por edhe aktivitetin e institucionit. Ndërsa, për sa i takon kryetarit, ka përfunduar edhe afati tremujor gjatë të cilit ai mund të qëndronte në detyrë, pas mbarimit të mandatit. Sipas ligjit, anëtarët e Bordit të AMF-së emërohen nga Kuvendi, me propozimin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.
Fillimisht, u duk se mazhoranca në Kuvend ishte e orientuar drejt konfirmimit në bord të kryetarit dalës, Pajtim Melani dhe zëvendës drejtores ekzekutive, Mimoza Kaçi. Por, mesa duket, ndryshimi i sinjaleve nga qeveria, e pezulloi rizgjedhjen e tyre. Mazhoranca vendosi që si kryetar Bordi të propozohej drejtori i kabinetit të Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete. Vendosja e një kandidature me profil politik në drejtimin e një institucioni të pavarur u kundërshtua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kjo e ka futur procesin në ngërç, megjithatë, duket se mazhoranca nuk është tërhequr nga kandidatura e Ervin Metes.
Ndërkohë, të paktën publikisht, nuk ka një kandidaturë për pozicionin e zëvendësdrejtorit ekzekutiv, që do të jetë njëkohësisht edhe anëtari i pestë i Bordit Drejtues. Çështja ngelet pezull të paktën deri në muajin shtator, kur Kuvendi do të rifillojë punimet. Sipas nenit 10 të ligjit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, mbledhjet e Bordit mund të zhvillohen kur janë të pranishëm të paktën 3 anëtarë dhe vendimet janë të vlefshme kur votojnë pro të paktën 3 prej tyre. Rrjedhimisht, vendimmarrja nuk është e bllokuar, ndryshe nga sa ndodhi me Bankën e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.