Bordi i Mbikëqyrjes Publike – 5 anëtarët zgjidhen nga Kuvendi e Qeveria

Anëtarët e Bordit të Mbikëqyrjes Publike, struktura që do të kontrollojë punën e audituesve në vend, janë zgjedhur në bashkëpunim mes Kuvendit dhe qeverisë.
Sipas një udhëzimi të Ministrit të Financave tashmë janë përcaktuar edhe emrat e kryetarit dhe anëtarëve të këtij bordi.
Kështu sipas këtij udhëzimi, Dritan Fino do të jetë kryetari i këtij bordi, ndërsa anëtarë janë Adriana Berberi, Luan Abazi, Edlira Luci, Klement Mersini.
Mandati i kryetarit dhe i anëtarëve të këtij bordi është 4 vjeçar. Vetëm një vit më parë u bënë ndryshime ligjore që forcojnë rolin e audituesve dhe ekspertëve kontabël si dhe rishikuan statusin e Bordit të Mbikëqyrjes Publike, duke forcuar rolin e saj nëpërmjet krijimit të një strukture mbështetëse teknike.
Kjo u bë në kuadër të operacionit kundër informalitetit, me qëllim rritjen e besueshmërisë së pasqyrave financiare vjetore të kompanive në vend.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.