Boris Johnson është i qartë: “Dalim nga BE më 31 Tetor, me ose pa marrëveshje”
Britania e Madhe duhet të dalë nga Bashkimi Europian më 31 tetor, me ose pa marrëveshje, deklaroi kryeministri britanik, Boris Johnson gjatë një konferencë të përbashkët me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Kjo deklaratë vjen menjëherë pas asaj të Macron, i cili nënvizonte se nuk ka mjaftueshëm kohë për të negociuar një marrëveshje të re për Brexit.
Johnson ndërkohë u shpreh se ai kërkon një marrëveshje dhe për këtë gjë mori mbështetje edhe nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë takimit të së Mërkurës në Berlin. “Unë dua një marrëveshje dhe mendoj se mund ta arrijmë atë. U inkurajova mjaftueshëm një natë më parë nga bisedimet që pata në Berlin nga miqtë e përbashkët. Kur ka një referendum duhen vepruar në mbrojtje të vendimit të votuesve, dhe kjo është arsyeja se pse ne duhet të dalim nga BE më 31 Tetor, me ose pa marrëveshje”.
Macron nga ana e tij bëri apel për një muaj të dobishëm përpara në mënyrë që të diskutohet Brexit me palën britanike, por brenda kornizave të marrëveshjes ekzistuese. Sipas Presidentit francez është e mundur të gjendet një zgjidhje inteligjente në 30 ditët e ardhshme, por se kjo zgjidhje nuk duhet të jetë larg themeleve të dakordësuara më parë.
Macron shtoi gjithashtu se, Bashkimi Europian është gati për një Brexit pa marrëveshje, paçka se kjo nuk është dëshira e bllokut. Çështja me e nxehtë nga marrëveshja e kaluar e që i duhet gjetur një zgjidhje nga qeveria Johnson është ajo që i referohet protokollit të famshëm të Irlandës.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.