Borxhet e ujësjellësve për energjinë – Qeveria subvencionoi 380 milion lekë në vitin 2021, kompanitë rritën faturat e palikujduara

Pavarësisht reformës, gjendja financiare e kompanive të ujësjellës-kanalizimeve paraqet probleme të shumta, teksa të dhënat zyrtare tregojnë se buxheti i shtetit shumëfishoi subvencionet për likujdimin e faturave të energjisë. Gjatë vitit 2021, buxheti i shtetit transferoi pranë këtyre shoqërive 380 mln lekë, ndërkohë që për vitin 2020 këto subvencione ishin 230 mln lekë apo 150 mln lekë më pak.
Paralelisht, të dhënat zyrtare tregojnë se borxhet e institucioneve jo buxhetore, ku bëjnë pjesë pikërisht ujësjellësit u rritën gjatë vitit 2021, duke arritur në 15.72 mld lekë në muajin dhjetor, nga 13.64 mld lekë që ishin një vit më parë. Këto borxhe janë krijuar pas një fshirje të konsiderueshmetë detyrimeve të prapambetura, të akumuluara midis ndërmarrjeve të ujit dhe ndërmarrjeve të energjisë elektrike (netim) në vitin 2014.
Ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare, shifra e detyrimeve të prapambetura nga ndërmarrjet e ujit janë rritur në të njëjtin nivel të para-fshirjes. Nisur nga kjo situatë, në dhjetor të vitit 2020 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Financave dhe Ekonomisë miratuan një plan veprimi që synonte të parandalonte krijimin e borxheve të reja ndërmjet kompanive të energjisë elektrike, si dhe reduktimin e qëndrueshëm të stokut të detyrimeve të prapambetura të akumuluara deri më sot ndërmjet kompanive.Por, pavarëissht kësaj të dhënat tregojnë se ky plan jo vetëm që nuk ka gjetur zbatim, por ka rritur faturën e subvencionimit, nga ana e buxhetit.
SUBVENCIONET PËR FATURAT E ENERGJISË TË UJËSJELLËSVE
2020 230 mln lekë
2021 380 mln lekë
BORXHET E UJËSJELLËSVE NDAJ OSHEE
DHJETOR 2020 13.64 MLD LEKË
DHJETOR 2021 15.72 MLD LEKË
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.