Borxhet ndaj OSHEE – Shtyhet afati për skemat lehtësuese, si likuidohen detyrimet e 2017-ës

Këshilli Mbikëqyrës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka zyrtarizuar shtyrjen e afatit të aplikimit të skemave lehtësues të pagesës me këste të detyrimeve të prapambetura, deri në 31 dhjetor të 2018-ës. Ndërkohë që, risia e këtij viti është përfshirja e detyrimeve të krijuara përgjatë vitit 2017.
Referuar vendimit, skema e re përfshin detyrimet e krijuara deri në vitin 2016, që do të thotë se nëse abonenti ka detyrime të papaguara përgjatë 2017-ës, atëherë paguan njëherësh detyrimet e këtij viti e më pas mund të bëhet pjesë e skemave lehtësuese të OSHEE për borxhet e mëparshme.
“Për të gjithë personat që kanë një debi të akumuluar deri në 31 dhjetor 2016, kanë të drejtën që brenda vitit 2018 të mund të aplikojnë dhe të përfitojnë nga skemat lehtësuese. Që do të thotë, klientët familjarë mund të aplikojnë dhe të përfitojnë një skemë lehtësuese me 2800 lekë të reja në muaj, klientët të cilët kanë një status të veçantë, pensionist, invalid ose me një specifikë të caktuar të përcaktuar në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës mund të paguajnë deri në 1200 lekë në muaj, si dhe bizneset me skemat ekzistuese që ne kemi, kanë një afat vlefshmërie deri në fund të vitit 2018 për detyrimet e lindura deri në 31 dhjetor 2016.”
Sipas drejtori i Divizionit të Shitjes dhe Tregtimit, në OSHEE arkëtimet nga aplikimi i këtyre skemave është sipas parashikimeve, ndërkohë që për ata abonentë që kanë shkelur aktmarrëveshjet parashikohen rishikime të kontratave.
“Arkëtimi që ne kemi siguruar në skemat lehtësuese është brenda parashikueshmërisë dhe përfitueshmërisë si për kompaninë, ashtu edhe për qytetarët. Pra, kemi një pagueshmëri të rregullt të aktmarrëveshjeve në një masë të konsiderueshme. Gjithashtu, kompania po arrin të rikuperojë në mënyrë graduale borxhin e akumuluar prej vitesh që është reflektuar në këto skema. Ne u bëjmë thirrje të gjithë klientëve, pavarësisht se ata mund t’i kenë shkelur këto akt- marrëveshje që të pozicionohen pranë zyrave të Kujdesit Ndaj Klientit, të sjellin dokumentet e tyre dhe ne të kompozojmë skema të reja të akt-marrëveshjeve. Vazhdon të ngelet në fuqi fakti që për një mosrespektues të skemës së aktmarrëveshjes, penaliteti është 30 për qind të vlerës së detyrimit, por rast pas rasti ne kemi trajtuar situata ku për arsye të ndryshme, klientët nuk kanë arritur të paguajnë dot një faturë ose një nga këstet dhe kanë dalë nga aktmarrëveshja, atëherë në një vendim kolegjial këta janë rifutur përsëri pa penalitetet përkatëse.”
Sipas OSHEE-së, që prej dhjetorin 2014 kur nisi zbatimi i reformës në sektorin energjetik janë nënshkruar 400 mijë aktmarrëveshje.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.