Borxhi 330 mln euro ndaj FMN mbyllet pas 14 vitesh

Në një kohë kur qeveria shqiptare pritet të mbyllë marrëveshjen me FMN, në muajin shkurt, detyrimet financiare të saj do të zgjasin deri në vitin 2031.
Sipas një përllogaritjeje, efektet financiare të kësaj marrëveshjeje prej 330 milion euro, e bërë 3 vjet më parë, do të fillojnë që këtë vit me pagesat dhe do të përfundojë pas 14 viteve. TV SCAN i është referuar të dhënave zyrtare të FMN, sipas të cilave, pagesa e kësaj huaje do të fillojë që në 2017 me një vlerë prej 852 milionë lekë, ndërkohë që kjo vlerë vjen duke u rritur nga viti në vit.
Shqipëria do ti paguajë këtij institucioni financiar vlerën e 45 miliardë lekëve. Ndryshimi i pushtetit në 2013, ku qeveria deklaroi se financat publike ishin në një situatë tepër të vështirë, e detyroi ekzekutivin të firmoste një marrëveshje të re me FMN. Kjo marrëveshje shënoi dhe vlerën më të madhe që ky institucion i kishte dhenë borxh Shqipërisë në vite.
Kjo marrëveshje përfshinte kredinë prej 330 milion euro, e cila do të disbursohej në 3 vite, sipas parametrave dhe ecurisë së treguesve ekonomiko-financiar të vendit. Ndërkohë vetë përfaqësuesit e FMN-së, janë shprehur, se pas përfundimit të marrëvesdhjes aktuale në shkurt, marrëdhënia do të rishikohet, por kushtet dhe kërkesat e marrëveshjes së re do të përcaktohen nga qeveria që do të dalë pas zgjedhjeve të qershorit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.