Borxhi 700 milion euro i Shqipërisë/ Zbardhen detajet e Eurobondit të ri
Qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend projektligjin për emetimin e Eurobondit të ardhshëm. Synimi është që Shqipëria të marrë një borxh që varion nga 500 deri në 700 milionë euro, me maturim 7 deri në 10 vite.
“Duke marrë në konsideratë parashikimet e bankave ndërkombëtare, që shfaqën interes për t’u angazhuar në procesin e emetimit të eurobondit shqiptar për kohën më të mirë për realizimin e këtij transaksioni, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke punuar me intensitet të lartë që në fund të muajit tetor apo në fillim të muajit nëntor Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar” shkruhet në relacionin e projektligjit.
Financimi i siguruar nga eurobondi do të shërbejë për:
a) përdorimin për mbështetje të përgjithshme buxhetore, e cila do të alokohet në shpenzime të përgjithshme publike për të siguruar që sektorët kryesorë, si: arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura të vijojnë rritjen e qëndrueshme, si dhe do të mbështesë investime publike, duke qëndruar në rreth 5% të PBB-së. Mbështetja e sektorëve dhe investimeve publike do të kontribuojë më tej në rritje ekonomike dhe konsolidim fiskal;
b) një pjesë, që mbetet balancë në TSA për financimin e vitit 2022
Kjo është hera e pestë që qeveria shqiptare emeton Eurobond.
Transaksioni për emetimin e eurobondit synon sigurimin e fondeve në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve. Ky transaksion ka natyrë të ngjashme me letrat me vlerë të emetuar në tregun e brendshëm
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.