Borxhi i jashtëm në rënie edhe për tremujorin e tretë!
Borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare ra lehtë në tremujorin e tretë të vitit, me rreth 7 milionë euro. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i detyrimeve që sektori publik dhe privat në Shqipëri ka ndaj kreditorëve të huaj ishte rreth 8.33 miliardë euro, në rënie për të dytin tremujor radhazi. Pas emetimit të eurobondit, në tetor të vitit të kaluar, borxhi i jashtëm i vendit ka shfaqur një tendencë në stabilizimi. Qeveria vendosi të rrisë borxhin e jashtëm në fund të vitit të kaluar, për të përfituar nga normat e ulëta të interesit dhe për të krijuar një gjendje edhe më likuide të tregut të brendshëm. Kjo e ka kufizuar nevojën e sektorit privat për t’iu drejtuar burimeve të jashtme të financimit. Qeveria mban 46% të totalit të borxhit të jashtëm, e ndjekur nga borxhet e ndërmarrjeve të huaja kundrejt aksionerëve të tyre me 20% dhe nga detyrimet e skeotirt bankar me 17%. Borxhi qeveritar u rrit lehtë me nëntë milionë euro në tremujorin e tretë, rritje kjo e lidhur me huamarrje për qëllime specifike dhe kryesisht të mbështetur në marrëveshje të mëparshme. Por, kjo rritje e lehtë u kompensua nga rënia e borxhit të shoqërive private, me 12 milionë euro më pak, por edhe pakësimi i huadhënies së kompanive të huaja për filialet e tyre në Shqipëri, me shtatë milionë euro më pak. Ulja e fluksit të huave nga kompanitë mëmë lidhet ndoshta me pakësimin e nevojave për investime të reja, tashmë që projektet më të mëdha të investimeve të huaja direkte pothuajse kanë përfunduar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.