Borxhi i korporatave në SHBA – Rritja e interesave tërheq investitorët e huaj, ul zotërimet vendase

Investitorët i janë drejtuar Shteteve të Bashkuara në vitin e kaluar, në kërkim për kthime më të mëdha në portofolet e tyre.
Pasi Rezerva Federale filloi të rrisë normat e interesit për të parën herë në një dekadë, investitorët e huaj nisën të blejnë borxh të korporatave amerikane me normën më të shpejtë ndër vite.
Sipas bankës amerikane Morgan Stanley, subjektet e huaja zotërojnë tashmë rreth 29% të obligacioneve të korporatave amerikane, shifër në rritje nga 12% që ishte në vitin 1990.
Normat e interesit në SHBA edhe pse janë ende në nivele të ulëta, kanë qenë më joshëse krahasuar me pjesën tjetër të botës, ku bankat qendrore e çuan borxhin me kthim negativ në 12.9 trilionë dollarë vitin e kaluar.
Korporatat amerikane kanë emetuar në sasi të mëdha, duke marrë parasysh se tkurrja monetare do të vazhdojë.
Kërkimi për kthim nga blerësit e huaj ka shtuar ofertat në SHBA, ndërkohë që korporatat kanë shitur një rekord prej 1.3 trilionë dollarë borxh me gradë investimi në vitin e kaluar.
Deri më tani për vitin, shifra arrin në 451 miliardë dollarë. Megjithatë, Morgan Stanley paralajmëron se kjo tendencë do të ndryshojë ndërkohë që tkurrja monetare përhapet në të gjithë botën.
Sipas të dhënave të Morgan Stanley, investitorët e huaj zotëronin 28.7% në tregun amerikan të kreditit, në rritje nga 26.5% vitin e kaluar dhe 23% në 2011-ën. Analistët thonë se rritja në borxhin korporativ vjen paralelisht me rënien në zotërimet e titujve të thesarit.
Kompanitë e sigurimit të jetës, dikur zotëruesit më të mëdhenj në tregun e kreditit, kanë zënë vendin e dytë me 21.5% në 2016-ën. Edhe zotërimi i ekonomive familjare ra në 6.5% në 2016-ën nga 9.7% që ishte një vit më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.