Borxhi publik, 9 miliardë euro – Buxheti faktik në Kuvend/Mungojnë të ardhura, tkurren investimet

Vitit që lamë pas u mbyll me një borxh publik prej 1.1 trilionë lekësh apo rreth 9 miliardë euro, duke u regjistruar në 67.2 për qind e PBB. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar projektligjin për buxhetin faktik, ku dhe janë publikuar të dhënat, i është depozituar për tu diskutuar në komisionet parlamentare, dhe më pas për t’u miratuar në Kuvend.
Ndërkaq, me mosrealizim paraqiten investimet, ku 2018 është mbyllur në masën 91 për qind dhe apo me rreth 8 miliardë lekë të pashpërndara. Referuar të dhënave, arka e shtetit u mbyll me rreth 14.8 miliardë lekë më pak vitin që lam pas, nga plani vjetor fillestar, apo me një realizim në masën 97 për qind duke arritur në total në rreth 449.9 mld lekë.
Ndërsa nga plani i rishikuar, diferenca është rreth 12 miliardë lekë. Performancë më të dobët në këtë drejtim kanë pasur të ardhurat nga tatimet dhe doganat doganore me realizim 96 për qind. Vetëm nga TVSH-ja, krahasuar me buxhetin fillestar, mungojnë rreth 8.2 miliardë lekë, me realizim në masën 95 për qind dhe akzica nga karburanti dhe renta minerare me 92 për qind, ku janë mbledhur për të gjithë vitin rreth 45 miliardë lekë.
Ministria e Financave ka pasur performancë pozitive në mbushjen e arkës së shtetit me të ardhurat nga tatim-fitimi mbi bizneset dhe taksat nacionale, duke tejkaluar planin. Konkretisht të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 34.5 miliardë lekë, në masën 100% të planit. Ndërsa taksat nacionale dhe të tjera, në masën 101% e planit, apo rreth 38.6 miliardë lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.