Borxhi publik dhe Financat – Ministria kërkon asistencë, ajo kushton 83 milionë lekë. Ja strategjia që kërkohet për të zhvilluar ekonominë

Ministria e Financave është në kërkim të asistencës këshillimore për menaxhimin e financave publike dhe borxhin publik. Në dokumentet e një tenderi publik, i cili do të jetë i hapur për vetëm 10 ditë deri në 12 Tetor, përshkruhen edhe detajet konkrete të shërbimit të kërkuar.
Katër janë pikat që i interesojnë më shumë qeverisë dhe kanë të bëjnë me: financimin sovran, promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë, këshillim në projektet e investimeve publike, si edhe këshillim mbi partneritetet publik privat (PPP).
Për të arritur një menaxhim më të mirë të financave publike, Ministria kërkon që të bëhet një analizë e plotë e raporteve të agjencive të vlerësimit si S&P apo Moody’s, duke identifikuar zonat ku ka vend për përmirësime. Konsulentit i kërkohet që së bashku me përmirësimet, të formulojë kundërargumente për të zbutur perceptimin negativ dhe t’ua prezantojë agjencive.
Firma konsulente do të kujdeset edhe vizitat e përfaqësuesve të këtyre agjencive, duke asistuar autoritetet shqiptare në përgatitjen e përgjigjeve në mënyrë që të jepet perceptimi më i mirë.
Krahas raporteve të vlerësimit, të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në përthithjen e investimeve të huaja, qeveria kërkon një skemë të re për menaxhimin e borxhit publik. Do të jetë detyrë e konsultentit të krijojë një ndarje optimale mes borxhit të brendshëm dhe atij të jashtë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë kërkon këshillim për transaksionet e eurobonove, si edhe për marrëveshjet potenciale të këmbimit që synojnë të minimizojnë riskun e valutës dhe kreditit.
Shqipëria kërkon të zgjerojë bazën e investitorëve ndërkombëtarë edhe përmes rritjes së performancës në studime ndërkombëtare si ai i Bankës Botërore “Doing Business”, apo si ai i WEF, i publikuar disa ditë më parë.
Në strategjinë për thithjen e investitorëve të huaj do të përfshihen edhe vizita në vend, apo takime prezantuese jashtë shtetit.
Firma konsulente fituese me shumë gjasa do të jetë e huaj, ndërsa vlerësimi i ofertës do t’i japë më shumë rëndësi propozimit sesa çmimit. Metodologjia e propozuar vlerësohet maksimalisht me 50 pikë, kualifikimet e stafit me 30 pikë, ndërsa përvoja e ngjashme e punës e konsulentit me 20 pikë.
Fondi limit i caktuar për marrjen e këtë shërbimi është 83.3 milionë lekë, ndërsa kohëzgjatja e kontratës me konsulentin do të jetë 1 vit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.