Borxhi publik – Rënia e normës së interesit uli koston e shërbimit
Rënia e nivelit të huamarrjes publike e arritur gjatë viteve të fundit ka bërë që edhe kostoja e shërbimit të borxhit të jetë në vlera jo të larta. Shërbimi i borxhit është pagesa e principalit dhe interesit në përputhje me termat e përcaktuara në marrëveshje.
Aktualisht sipas analizave të Ministrisë së Financave, strategjia për uljen e nivelit të borxhit publik po jep rezultatet e duhura edhe në përmirësimin në cilësinë e shërbimit të borxhit. Sipas statistikave të Financave, në 4 vjet u kursyen, 150 milionë dollarë nga shërbimi i borxhit.
Norma mesatare e interesit që buxheti i shtetit paguan për borxhin publik, ka arritur tashmë në nivelin minimal historik prej 4.4% nga 8% që ishte në vitin 2012. Kjo do të thotë se buxheti i shtetit ka kursyer rreth 18 miliardë lekë në vit ose 150 milionë dollarë, vetëm si rezultat i reduktimit të normave të interesit që paguhen për borxhin publik.
Megjithëse sipas krerëve të Financave, kjo ka të bëjë drejtpërsëdrejti me riskun e ulur në minimum që paraqet ekonomia shqiptare dhe borxhi publik. Por sipas tyre kjo ka ardhur edhe si rezultat i reformave, konsolidimit fiskal në tre vitet e fundit dhe sigurisht konsolidimin e rritjes ekonomike.
Tabelë—KOSTO E BORXHIT PUBLIK
2016 4.37 %
2015 5.31 %
2014 5.39 %
2013 6.72 %
2012 7.84 %
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.