Borxhi tatimor – Tatimet, marrëveshje me bizneset për pagesën me këste
Të gjitha bizneset që kanë detyrime të papaguara tatimore, mund ti shlyejnë ato me këste. Kjo nismë e Administratës Tatimore pritet të lehtësojë mjaft sipërmarrje që kanë vështirësi në likuiditete, si dhe përmirëson situatën financiare të saj.
Drejtore e Mbledhjes me Forcë të Borxhit Tatimor, Borjana Shaka, u shpreh gjatë një interviste në TV SCAN, se deri më tani kjo administratë ka lidhur 1200 marrëveshje me sipërmarrjen për pagesën e detyrimeve tatimore me këste.
“Për të lidhur një marrëveshje me këste, tatimpaguesi pikë së pari duhet të dokumentojë situatën e tij financiare nga pikëpamja e vështirësive, arsyet pse nuk është paguar detyrimi dhe mundësitë që janë krijuar ose që do ti krijohen për ta shlyer këtë detyrim. Sigurisht shumë e rëndësishme është ndjekja e kësteve, pagesa e detyrimeve korrente dhe pagesa në afatet e përcaktuara. Aktualisht kemi rreth 1200 marrëveshje me këste. Edhe gjatë fushatës kundër informalitetit janë lidhur gjithsej 200 marrëveshje me këste”.
Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.
Më pas Administrata Tatimore ndërpret masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.