Botë/ Vdekjet nga Covid-19 kalojnë 700,000. Një vdekje çdo 15 sekonda, bazuar tek llogaritjet e 2 javëve të fundit
Numri i vdekjeve në të gjithë botën nga koronavirusi ka kaluar 700,000, me Shtetet e Bashkuara, Brazilin, Indinë dhe Meksikën që mbajnë numrin më të lartë. Thuajse 5,900 persona po vdesin në 24 orë nga Covid-19 në mesatare, sipas përllogaritjeve të 2 javëve të fundit. Kjo përkthehet në 247 persona në orë, apo një person në çdo 15 sekonda. Presidenti Donald Trump tha se koronavirusi ndodhet mjaftueshëm nën kontroll në Shtetet e Bashkuara, ku ka lënë mbi 155,000 persona të vdekur, për shkak të kundërpërgjigjes kontradiktore ndaj krizës. “Po vdesin njerëz është e vërtetë. Por kjo nuk do të thotë që po bëjmë gjithçka që mundemi.
Është nën kontroll për aq sa mund të kontrollohet”,- tha Trump. Në Brazlin, presidenti Jair Bolsonaro, ka minimizuar ndikimin e pandemisë dhe ka kundërshtuar masat e karantinës, pavarësisht se shumë persona të kabinetit dhe vetë ai, kanë dalë pozitiv me virusin. Pandemia e arriti në mënyrë të ngadaltë Amerikën Latine, por sapo kjo ndodhi, autoritetet kanë hasur vështirësi ta kontrollojnë, për shkak të varfërisë në rajon dhe qytetet me densitet të lartë të banorëve. Megjithatë, edhe pjesë të botës që e kishin kontrolluar më parë virusin, shtetet po regjistrojnë shifra rekord të rasteve të reja, ç’ka sinjalizon se beteja nuk ka përfunduar. Australia, Japonia, Hong Kongu, Bolivia, Sudani, Etiopia, Bullgaria, Belgjika dhe Izraeli, kanë regjistruar së fundmi rritje rekord të rasteve të reja.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.