Botohet në Fletoren Zyrtare/ Amnistia për bizneset dhe makinat. Falja e detyrimeve tatimore me dhe pa kushte
Është botuar në fletoren zyrtare ligji për amnistinë për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore për bizneset dhe makinat, i cili hyn në fuqi 15 ditë më pas, në datën 6 maj 2017.
Të gjitha subjektet që përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji, kanë afat deri më 31 dhjetor të këtij viti. Subjektet, për të cilat fshirja/shuarja e detyrimit aplikohet me kusht, nuk përfitojnë fshirje/shuarje të detyrimit nëse nuk përmbushin kushtet brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj.
Ky ligj parashikon pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara, të detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore të papaguara.
Subjektet që përfitojnë
Nga ky ligj përfitojnë subjektet e regjistruara në regjistrin aktiv, pasiv ose të çregjistruar për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore, subjektet debitore ndaj administratës doganore, si dhe subjektet pronare të mjeteve të transportit.
Fshirja/shuarja e detyrimeve tatimore pa kushte
Fshihen/shuhen detyrimet tatimore të papaguara, që i përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë dhe që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
Fshihen/shuhen detyrimet e papaguara, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë.
Fshihen/shuhen dënimet administrative (gjobat) dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit.
Falja me kushte
Fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të regjistruara në llogarinë e subjektit, me kushtin që, brenda datës 31.12.2017, të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi për:
- a) detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014, duke u aplikuar sipas llojit të tatimit;
- b) kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014;
- c) taksat/tarifat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 – dhjetor 2014.
Gjithashtu pjesë e fshirjes dhe shuarjes së detyrimeve tatimore janë edhe detyrimet tatimore:
a) detyrimet tatimore, përfshirë tatimin /kontributin/taksën/tarifën, kamatëvonesën dhe dënimet administrative për subjektet persona fizikë ose juridikë që rezultojnë të çregjistruar në QKB me vendim gjykate apo që janë të çregjistruar në administratën tatimore deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji;
b) dënimet administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar.
c) dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara.
ç) dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.6.2017;
d) dënimet administrative (gjobat) për shoqëritë e autorizuara, të evidentuara në llogarinë e subjektit nëpërmjet aktkonstatimit, deri në datën 31.12.2016;
dh) dënimet administrative (gjobat) si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit nr. 99/2015, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.8.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese;
e) përveç sa parashikohet në nenin 5, të këtij ligji, fshihen/shuhen detyrimet tatimore të papaguara, sipas përcaktimit në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të detyrimeve të vetdeklaruara dhe të papaguara, të shoqërive që operojnë në sektorin elektroenergjetik dhe janë 100 për qind me kapital shtetëror, që i përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri më 31.12.2013. Gjobat dhe kamatvonesat për kontributet e sigurimeve dhe detyrimet e vetëdeklaruara për këto periudha, fshihen/shuhen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi. Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën janar deri në dhjetor 2014, fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi;
ë) përveç sa parashikohet në nenin 5, të këtij ligji, fshihen/shuhen detyrimet tatimore të papaguara, sipas përcaktimit në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të shoqërive që operojnë në sektorin ujësjellëskanalizime dhe janë 100 për qind me kapital shtetëror, që u përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri më 31.12 2013.
f) fshihen/shuhen efektet tatimore për detyrime të papaguara, të regjistruara ose jo apo në proces kontrolli, si pasojë e lëshimit jo brenda së njëjtës periudhë tatimore të kryerjes së furnizimit, të dokumentit që vërteton përjashtimin nga TVSH-ja ose si pasojë e moslëshimit të këtij vërtetimi, me kusht që, në çdo rast, aplikimi pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të jetë paraqitur deri më 31.12.2014;
g) fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, që i përkasin periudhave nga 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2016, me kusht pagesën e kontributeve brenda datës 31.12.2017.
Detyrimet tatimore që falen pa kusht
-Fshihen/shuhen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë, sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2010.
-Fshihen/shuhen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë, sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara për individët, lidhur me produktet e duhanit, nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2016.
-Fshihen/shuhen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë, sipas kuptimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, të evidentuara në administratën doganore, për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë e pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi, deri në datën 31.12.2016.
Detyrimet tatimore që falen me kusht
-Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2014, fshihen/shuhen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat dhe interesat kompensues.
-Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara për shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet, nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate, nga data 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2016, fshihen/shuhen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë detyrimi i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat.
Procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve që nuk janë në përdorim dhe fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore për këto mjete
- Përveç sa parashikohet në këtë ligj, në përputhje me përcaktimet, sipas këtij neni, hiqen nga qarkullimi të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, për të cilat nuk është kryer asnjë veprim me këto mjete pas datës 31 dhjetor 2011 e në vijim.
- Në zbatim të pikës 1, të këtij neni, heqja nga qarkullimi i këtyre mjeteve bëhet pasi fshihen/shuhen detyrimet tatimore të papaguara për to, si: taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksa vjetore e qarkullimit rrugor, taksa vjetore e mjeteve të përdorura, taksa e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave. Subjektet /personat përgjegjës kanë të drejtë që, brenda datës 31.12.2017, të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të kryer, pa pagesë, veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi dhe mbajtjen aktiv të tij.
- Personave, të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit ose mbajtjen aktiv të tij, u fshihen/shuhen detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatëvonesave të periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat fshihen/shuhen.
- Nëse brenda datës 31.12.2017 personat e interesuar nuk paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktiv të mjetit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor do të kryejë, pa pagesë, heqjen nga qarkullimi të mjetit dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore të tij.
- Lista e mjeteve, me targat përkatëse, të çregjistruara sipas këtij ligji, i dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit për bllokimin dhe sekuestrimin e tyre.
Brenda datës 31.12.2017, organet përkatëse fshijnë/shuajnë nga regjistrat e tyre kontabël dhe nga llogaria e subjektit debitor detyrimet që fshihen/shuhen sipas këtij ligji.
Eralda Zito/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.