BQE, besim te inflacioni/Praet: Do të konvergjojë edhe pas përfundimit të skemës së blerjeve
Krye ekonomisti i Bankës Qendrore Europiane, Peter Praet, tha se ka besim që inflacioni në Eurozonë do të vazhdojë rritjen drejt objektivit në rreth 2% edhe pasi programi i blerjeve të aktiveve të përfundojë.
Peter Praet tregoi arsyet pas vendimit të fundit të Bankës Qendrore Europiane që të mos shtojë stokun e obligacioneve prej rreth 2.6 trilionë euro në fund të këtij viti, pas thuajse 4 vitesh të printimit të parasë që synon nxitjen e nivelit të çmimeve.
“Fuqizimi i fundit i ekonomisë së Eurozonës, së bashku me caktimin e pritshmërive në afat-gjatë për inflacionin, ofron besim se konvergjenca e nivelit të çmimeve do të vazhdojë edhe pas përfundimit të blerjes së aktiveve”, tha ai.
Inflacioni në zonën e valutës së përbashkët arriti në 2% në Qershor, sipas të dhënave paraprake të Eurostat. BQE pret që të rezultoi në një mesatare prej 1.7% deri në vitin 2020.
Banka Qendrore deklaroi në Qershor se do të mbajë normat e interesit në nivelin aktual të ulët deri në verën e vitit 2019, gjë që investitorët e interpretuan si një ndërhyrje në Shtator të vitit që vjen, për të parën herë që prej vitit 2011.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.