BQE do vazhdojë me stimuj – Anëtarët e bordit përsërisin qëndrimin deri në fund të 2017
Perspektiva për ekonominë e Eurozonës është përmirësuar por koha e heqjes së mbështetjes nëpërmjet stimujve nuk ka ardhur ende, thonë politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane, disa ditë përpara zgjedhje presidenciale në Francë dhe vetë takimit të institucionit.
Investitorët janë në tension përpara raundit të parë në ditën e Djelë, ku dy prej 4 kandidatëve kryesorë po kërcënojnë me daljen nga Bashkimi Europian dhe valuta e përbashkët.
Çdo trazirë e mundshme në tregun e borxhit do të rrisë kostot e huamarrjes për vendet dhe kompanitë, duke zhbërë stimujt që Banka Qendrore Europiane po ofron.
Komentet e guvernatorit të Bankës së Francës, Francois Villeroy, kreut të ekonomistëve të BQE, Peter Praet dhe anëtarit të bordit ekzekutiv Benoit Coeure, sugjerojnë se institucioni është kthyer në optimizëm, por nuk do të përfundojë stimujt të paktën deri në vitin që vjen.
“Politikat monetare janë plotësisht të përshtatshme dhe nuk duhet ndërhyrë përpara se inflacioni të jetë rritur në mënyrë të qëndrueshme drejt objektivit”, tha guvernatori i Bankës së Francës.
Eurostat konfirmoi nivelin e çmimeve për muajin Mars më herët gjatë javës në 1.5%, nga 2% që ishte në Shkurt. Tregjet nuk presin ndërhyrje në takimin e 27 Prillit.
Praet dhe Benoit Coeure dhanë të njëjtin këndvështrim mbi drejtimin e politikave monetare, me blerjet mujore në 60 miliardë euro dhe normat negative të interesit që do të zgjasin të paktën deri në fund të 2017-ës.
Megjithatë, ata nuk ishin dakord mbi perspektivën e ekonomisë. Benoit Coeure tha se rreziqet mbi ekonominë Europiane janë tërhequr. Praet, nga ana tjetër, tha se ekzistojnë kërcënime në terma afat-shkurtër.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.